Distria Krasniqi ka shkëlqyer të shtunën në kryeqytetin e Francës, duke fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, një nga garat më prestigjioze të xhudos.
Xhudistja kosovare ishte e pandalshme në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në arenën e famshme “Bercy”, në praninë e rreth 15 mijë shikuesve, Krasniqi në finale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler.
Fitorja ishte e shpejtë dhe bindëse. Distria e siguroi triumfin për vetëm 27 sekonda, duke realizuar një hedhje të bukur për ippon. Kjo ishte fitorja e pestë e Krasniqit ndaj Solerit, përkundër një humbjeje.
