Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mësohet se do të udhëtojë për në Uashington javën e ardhshme , ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump. Takimi mes dy liderëve do të zhvillohet të mërkurën.

Zyra e kryeministrit izraelit ndër të tjera theksoi se në fokus të diskutimeve do të jetë Irani. Takimi vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani duken të gatshëm të ecin përpara me një raund të dytë bisedimesh mbi programin bërthamor të Teheranit.

Sipas zyrës së Netanyahut, kryeministri izraelit beson se çdo negociatë duhet të përfshijë kufizime të qarta mbi programin e raketave balistike të Iranit, si dhe t’i japë fund mbështetjes për të ashtuquajturin “bosht iranian”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan ditën e parë të bisedimeve indirekte në Oman të premten, duke u përqendruar në programin bërthamor të Iranit. Pas bisedimeve, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se vendi i tij nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga e drejta e tij për të pasuruar uranium.