Presidenti amerikan, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin për pasoja serioze nëse nuk arrin të finalizojë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Do të jetë shumë traumatike për Iranin nëse nuk arrijnë një marrëveshje,” deklaroi Trump dje në Shtëpinë e Bardhë.
Ai shtoi se Irani duhej të kishte rënë dakord për një marrëveshje që vitin e kaluar, gjatë negociatave midis Uashingtonit dhe Teheranit për programin kontrovers bërthamor të Iranit.
Pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump theksoi se preferon një marrëveshje me Iranin përpara një aksioni ushtarak. Ai gjithashtu tha se vetë do të vendosë se si do të veprojnë SHBA-të, duke përshkruar bisedimet me Netanyahu si “shumë të mira”.
Izraeli ka paralajmëruar prej kohësh kundër çdo marrëveshjeje që kufizohet vetëm te programi bërthamor i Republikës Islamike. Shteti hebre kërkoi nga Irani, armiku i përjetshëm, të reduktojë arsenalin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet aleate në rajon, raporton DPA.
Disa funksionarë në administratën amerikane gjithashtu kanë kërkuar kërkesa më të gjera. Megjithatë, Trump në përgjithësi ka mbajtur të paqarta qëllimet e SHBA-ve në negociatat e rinovuara me Iranin. Teherani ka insistuar se është i gatshëm të negociojë vetëm për çështjen bërthamore.
Pas shtypjes brutale të protestave masive në Iran, ku u raportua se u vranë mijëra demonstrues, Trump i ka kërcënuar Teheranin me ndërhyrje ushtarake dhe ka forcuar prezencën ushtarake amerikane në rajon, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln.
