Qëllimi i vetëm në mandatin tim është që të ndihmoj që shteti të hyjë në BE sa më shpejt që është e mundur, tha ambasadori i ri i BE-së Mihalis Rokas në intervistë për MIA, që është në fakt intervista e tij e parë pasi e nisi mandatin muajin e kaluar. Rokas thotë se anëtarësimi në BE nuk ka alternativa dhe se zgjerimi është politika më e suksesshme e Unionit. Thotë se e kupton propozimin e qeverisë së re për ndryshime kushtetuese me prapaveprim por thekson se aderimi është proces i bazuar në njëzëshmëri.

“Zgjerimi është proces i bazuar në njëzëshmëri, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për këtë propozim të qeverisë. Mendimi im modest është se vështirë se do të pranohet, siç shpjegova paraprakisht, ka qëndrim të BE-së nga 27 vendet anëtare në këtë drejtim. Vendimi për ndryshimet kushtetuese është vendim sovran i qeverisë dhe është shumë i rëndësishëm, ne kemi respekt të madh ndaj qeverisë për përpjekjet e saj për vazhdimin e procesit dhe për zgjidhjet që do që t’i arrijë, por procesi është tepër i qartë, ai mund të ndodhë menjëherë dhe mund të zhvillohet shumë shpejt dhe atë që mund ta përsëris është përkushtimi i plotë për aderim në BE”, tha Mihalis Rokas, euroambasador në Shkup.

Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski mbetet në qëndrimin e tij. Thotë se letrën që po e përgatit për ta çuar në BE për idetë e reja për vazhdimin e negociatave është kah fundi, por se do ta dërgojë pasi do të bisedojë me sa më shumë nga liderët e vendeve anëtare të BE-së.

“-Mickoski: Nuk do të pajtohesha se me këtë qëndrim nuk ka mirëkuptim për pozitën tonë.
-G: Jo, nuk po them mirëkuptim, por se nuk do të ketë ndryshim të kornizës negociuese.
-Mickoski: E po, atëherë më së miri është të pranojmë kërkesat e fqinjëve, të fshijmë dhe atëherë do të jemi më të lumtur. Unë nuk po udhëheq politika në këtë mënyrë”.

Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se ata do të japin përkrahje për çdo zgjidhje ose pozitë të mirë që do ta dakordojë qeveria, por vetëm nëse ato zgjidhje janë reale dhe të realizueshme.

“Nëse presin se LSDM në mënyrë naive do të përkrahë ide që do të thoshin bllokada të mëtutjeshme, zgjidhje në të cilat askush nuk beson përveç atyre në Pallatin e bardhë, atëherë gënjehen veten. Ne nuk do të jemi maskim për politikat e tyre të dështuara. Le të tregojnë lidership, le të tregojnë guxim dhe sinqeritet. Le të ofrojnë zgjidhje reale rreth të cilave mund të bashkohemi, nëse jo, nuk do të marrim pjesë në dështimin e tyre”, tha Venko Filipçe, kryetari i LSDM.

Filipçe ditë më parë i dërgoi thirrje publike Mickoskit për seancë të mbyllur ku do të debatojnë për negociatat e bllokuara me BE. Siç tha ai, do të presin që Mickoskin ta pranojë kërkesën e tyre, dhe nëse nuk e bën këtë, do t’i përdorin të gjitha mekanizmat që ajo seancë të mbahet përmes kërkesës formale deri te Kuvendi.

Përderisa Maqedonia mbetet e bllokuar, Shqipëria e cila ishte në pako me ne, është në prag të hapjes së klasterit të parë. Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së, e miratoi vendimin për hapjen e klasterit të parë në negociatat me Shqipërinë, i quajtur “Vlerat bazë”. Kjo kthesë e rëndësishme do të shënohet me Konferencë ndërqeveritare që do të mbahet më 15 tetor në Luksemburg.