“Korridori 8 është i pandalshëm sepse është projekt i NATO-së që lidh Maqedoninë me Shqipërinë”, tha Kryetar i LD-së në VELN Izet Mexhiti. Duke diskutuar pengesat e UNESCO-së për zonën e mbrojtur të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Liqenit të Ohrit, Mexhiti tha se do të gjendjet një zgjidhje e përbashkët dhe pavarësisht trasesë aktuale apo një trajektore tjetër, Korridori do të realizohet.
“Korridori 8 ndryshe quhet edhe Korridori i NATO-s, në momentin që kjo qeveri është përcaktuar për ta realizuar atë projekt është për tu lidh me Shqipërinë. Nuk është ideja për të shkuar prej Shkupit në Strugë apo Ohër për të pirë kafe, por ideja është që Korridori 8 të lidhet me Shqipërinë. Ne mund t’i respektojmë edhe rregullat e UNESCO-s por edhe korridori do të bëhet”, tha Mexhiti.
Ministri i Kulturës Zoran Lutkov tha se në trasenë ku kalon segmenti Trebenishtë-Qafë Thanë nuk ka një lokalitet kulturor me artefakte.
“Ne kemi diskutuar në nivelin më të lartë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët sepse ai projekt është bërë sipas standardeve të NATO-s që e lidh Maqedoninë me Aleancën ushtarake Veri-Atlantike. Besoj se në mesin e muajit maj do të vijnë nga komisioni i UNESCO-s dhe delegacionit mund t’i tregojmë nga afër të gjitha problemet infrastrukturore me të cilat ballafaqohemi në rajonin e Ohrit e Strugës”, tha Zoran Lutkov
Përndryshe, një muaj më parë përfaqësues të Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Paris gjatë takimit me 4 ministrat tanë dhe dy kryetarë komunash iu dhanë 8 vërejtje për zonat e mbrojtura të Liqenit të Ohrit, prej të cilave vetëm njëra ishte për autostradën e Korridorit 8 dhe të tjerat për ndërtime pa leje të objekteve buzë liqenit, por autoritet tona nuk theksojnë vërejtje për autostradën tjetër Ohër-Kërçovë, segment i cili gjithashtu kalon nëpër një pjesë të zonës së mbrojtur nga UNESCO.
