Në rast se ish-kryeministri në azil Nikola Gruevski vendos vetë të rikthehet në vend, ai do të përballet me pasojat ligjore të vendimeve gjyqësore tashmë të formës së prerë. Në një skenar të tillë, mund të pasojë vuajtja e dënimit me burg. Por, nëse nuk paraqitet vullnetarisht, atëherë situata bëhet dukshëm më e ndërlikuar. Tha për Alsat, Darko Avramovski nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
“Nëse ai vullnetarisht vendos që të kthehet në vend, pa ndonjë procedurë për ekstradim, atëherë do të duhet të dërgohet në burg që të vuaj dënimin sepse nuk janë të plotësuara kushtet që të mund të kërkojë përsëritje të procedurave pasi e ka ditur se ka vendim të plotfuqishëm kundër tij në shtet. Në raste të tilla mund të kërkojë përsëritjen e procedurës në afat një vjetor që nga koha që e ka kuptuar se ka vendim gjyqësor. Por, nëse shkohet me procedurë pas ekstradimit, atëherë, pavarësisht se sa kohë ka kaluar dhe pavarësisht asaj se a e ka ditur a jo që është i gjykuar, Hungaria, mund të kërkojë që të përsëriten edhe ata procedura ku ka vendim gjyqësore të plotfuqishëm. Në raste të tilla, nuk do të shkohet në vuajtje të dënimit por do të duhet të merret vendim për përsëritjen e procedurave dhe të fillohet nga e para. Në disa raste mund të bëhet edhe kthim jo vetëm i procedurave gjyqësore por edhe kthim të plotë të hetimit bazë,” tha Darko Avramovski – Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë. /Alsat.mk
The post Avramovski: Nëse Gruevski kthehet vetë, do të shkojë në burg – ekstradimi hap mundësi për rigjykim appeared first on Alsat.
