Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se rreziku për popullatën nga hantavirusi mbetet shumë i ulët, pavarësisht shpërthimit të regjistruar në anijen turistike “MV Hondius”, ku humbën jetën tre persona dhe disa të tjerë u infektuan. Viktimat janë një çift nga Holanda dhe një grua nga Gjermania, ndërsa rastet lidhen me variantin “Andes”, i vetmi lloj hantavirusi që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, deklaroi se virusi nuk përhapet lehtë mes njerëzve, duke theksuar se disa persona që kishin ndarë kabinën me të infektuarit nuk janë sëmurur. Sipas OBSH-së, kjo tregon se ngjitshmëria e virusit është e kufizuar.
Ndërkohë, një stjuardesë e kompanisë KLM, e cila kishte pasur kontakt me një pasagjere të infektuar, ka rezultuar negative në testime, zhvillim që konsiderohet pozitiv nga autoritetet shëndetësore. Anija “MV Hondius” pritet të mbërrijë të dielën në Tenerife, ndërsa autoritetet spanjolle kanë njoftuar se ajo nuk do të ankorohet drejtpërdrejt në port.
