Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në fjalën e tij në Kongresin e parë të VLEN-it theksoi se bashkimi i këtij subjekti përçon një mesazh të qartë për unitet dhe orientim euroatlantik.
Duke rikujtuar protestat e para 10 viteve në Shkup “Për Dinjitet, Drejtësi dhe Demokraci”, Sali tha se sot, në Ditën e Evropës, ky bashkim dëshmon drejtimin politik dhe qytetërimor të VLEN-it.
“Për gjithçka mund të kemi alternativë, por integrimi europian është orientim pa alternativë. Ky është një udhëtim që ndërtohet me institucione kredibile dhe përgjegjësi të përditshme ndaj qytetarëve”, u shpreh Sali.
Ai theksoi se VLEN po ndërtohet si një strukturë serioze politike, me organizim në terren, forume rinore dhe të grave, si dhe me përfshirjen e profesionistëve, duke synuar të jetë pranë qytetarëve kudo.
Sali vuri theks të veçantë te të rinjtë dhe gratë, duke theksuar nevojën për krijimin e mundësive që ata të ndërtojnë të ardhmen në vend, si dhe rëndësinë e fuqizimit të komunave përmes decentralizimit.
Në fjalën e tij, ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, duke përmendur orientimin strategjik drejt NATO, Bashkimi Evropian dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përmbyllje, Sali u shpreh se VLEN nuk po ndërtohet vetëm për cikle zgjedhore, por si një projekt afatgjatë për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për një politikë më të organizuar dhe më pranë tyre.
