Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij gjatë Kongresit të parë të partisë, tha se VLEN-i nuk është vetëm bashkim partish, por një tjetër kulturë e politikbërjes.
Kasami theksoi se shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Ai në fjalimin e tij tregoi se çfarë përfaqëson VLEN-i dhe cilat do të jenë prioritetet e saj.
“VLEN nuk duhet të jetë thjesht bashkim partish. Nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë. VLEN duhet të bëhet kulturë tjetër politike shqiptare. Më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Ne nuk kemi nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Prandaj është e rëndësishme të themi edhe se çfarë përfaqësojmë. Ne jemi parti e qendrës së djathtë. Dhe këtë nuk e themi si diçka që tingëllon mirë në letër. E themi sepse besojmë në disa vlera shumë të qarta”.
“Ne besojmë në familjen si vendin e parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet.
Por po ashtu besojmë edhe në një shtet modern. Në institucione që funksionojnë. Në administratë profesionale. Në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, tha Kasami.
