Albin Kurti vlerësoi se arritja më e madhe e koalicionit VLEN është bashkimi, duke theksuar se ky subjekt duhet të përfaqësojë interesat publike dhe shoqërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai bëri thirrje për tejkalimin e ndasive dhe mentaliteteve provinciale, me qëllim ndërtimin e kohezionit dhe drejtësisë shoqërore. Sipas tij, demokracia forcohet përmes barazisë, drejtësisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në institucione, ndërsa përfaqësimi cilësor i shqiptarëve mbetet thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.
“Arritja juaj më e madhe është bashkimi. VLEN-i tashmë është një subjekt që përfaqëson interesat publike dhe shoqërore të të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Duhet të tejkalohen mendësitë provinciale dhe inatet e së kaluarës, në mënyrë që të ndërtojmë kohezion dhe drejtësi shoqërore. Demokracia e gjen stabilitetin e saj te drejtësia, barazia dhe pjesëmarrja në institucionet shtetërore dhe në jetën publike në mbarë territorin e republikës. Nëse qytetarët nuk e ndjejnë veten pjesë të republikës, atëherë ajo humb jo vetëm njerëz, por edhe prosperitet e stabilitet. Ky duhet të jetë edhe roli i VLEN-it: t’u japë kredibilitet institucioneve në sytë e qytetarëve, e në rastin tuaj, sidomos në sytë e shqiptarëve. Kjo arrihet përmes pjesëmarrjes së plotë dhe të drejtë, duke promovuar cilësinë më të lartë në dije, profesion dhe përfaqësim,” deklaroi Albin Kurti, kryeministër I Kosovës. /Alsat.mk
The post Kurti: Roli i VLEN-it t’u japë kredibilitet institucioneve, promovoni cilësi në përfaqësim! appeared first on Alsat.
