Mbrëmja e sotme mund të jetë vendimtare për sezonin e Milanit. Kuqezinjtë përballen me Atalantën në një sfidë që në Itali po konsiderohet si “finale” për garën drejt Champions League. Pas rezultateve zhgënjyese dhe mungesës së golave në javët e fundit, presioni mbi skuadrën nga “San Siro” është rritur ndjeshëm.
Statistikat nuk janë në favor të Milanit, pasi Atalanta është kthyer në një nga kundërshtarët më të vështirë për kuqezinjtë. Milani ka fituar vetëm dy nga nëntë përballjet e fundit ndaj bergamaskëve, ndërsa Atalanta ka treguar stabilitet edhe në transfertat në “San Siro”.
Objektivi për një vend në Champions League konsiderohet jetik jo vetëm për aspektin sportiv, por edhe për projektin ekonomik dhe të ardhmen e klubit. Mediat italiane raportojnë për një atmosferë elektrizuese në stadium, me tifozët që kërkojnë reagim të menjëhershëm nga skuadra.
Nga ana tjetër, Atalanta vjen pa presion, por me reputacionin e një skuadre agresive dhe shumë të rrezikshme në kundërsulm. Analistët presin një ndeshje taktike dhe me tension të lartë, ku çdo gabim mund të rezultojë fatal në garën për Evropën.
