Spanja ka nisur evakuimin e pasagjerëve nga anija turistike e prekur nga hantavirusi, e ankoruar pranë Tenerife-s në Ishujt Kanarie. Ministrja e Shëndetësisë, Monika Garcia, tha se operacioni është zhvilluar pa probleme dhe se të gjithë pasagjerët në bordin e MV Hondius ishin ende pa simptoma.
“I gjithë grupi i pasagjerëve mbetet asimptomatik. Grupi i parë që do të zbarkohet do të jenë qytetarët spanjollë, për të cilët avioni tashmë është përgatitur për transferimin e tyre. Vendi i radhës që do të evakuohet do të jetë Holanda, e cila do të marrë qytetarë nga Gjermania, Belgjika, Greqia dhe një pjesë të ekuipazhit. Më pas do të vazhdojnë njëri pas tjetrit fluturimet e ndryshme të planifikuara për sot. Nuk na është raportuar asnjë incident: pasagjerët nga Kanadaja, Turqia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Shtetet e Bashkuara do të zbarkojnë sipas orarit të nisjes së fluturimeve,” tha Monika Garcia, Ministre e Shëndetësisë e Spanjës.
Të gjithë pasagjerët në MV Hondius konsiderohen kontakte me rrezik të lartë si masë paraprake, tha Agjencia Europiane e Shëndetit Publik, duke shtuar se rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët. Tre persona kanë humbur jetën dhe në total të infektuar janë 8. Shtetet janë vënë në garë me kohën për të gjurmuar dhe izoluar njerëzit që kanë pasur kontakt me pasagjerët e anijes turistike.
Hantavirusi zakonisht përhapet kur njerëzit thithin mbetje të kontaminuara nga jashtëqitjet e brejtësve dhe nuk transmetohet lehtë nga njeriu te njeriu. Megjithatë, virusi Andes i zbuluar në anijen turistike mund të përhapet mes njerëzve në raste të rralla. Simptomat zakonisht shfaqen nga një deri në tetë javë. /Alsat.mk
The post Alarm për hantavirusin në anijen turistike pranë Tenerife-s, Spanja nis evakuimin e pasagjerëve nga anija appeared first on Alsat.
