Në Kongresin e së shtunës partitë e VLEN-it u bashkuan zyrtarisht në një subjekt të vetëm politik.
850 delegatë miratuan Statutin dhe programin politik të VLEN-it. Delegatët zgjodhën udhëheqësinë dhe organet drejtuese. Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami u zgjodhën bashkëkryetarë të partisë, Bekim Sali Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa Mimoza Musa dhe Bekim Qoku nënkryetarë.
“Më lejoni që të uroj këtë kongres, të gjithë delegatët dhe të gjithë ata të cilët kanë qenë në strukturat e partive që përbëjnë VLEN-in të cilët sot nuk janë pjesë të këtij kongresi të uroj për suksesin, për angazhimin, për kontributin dhe t’ju uroj të gjithëve që VLEN të jetë përfaqësues i shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në periudhën që vjen, një përfaqësim i cili do të jetë më ndryshe dhe në shërbim të qytetarëve dhe për të ndërruar perceptimin për politikën. Politika është që t’ju shërbej qytetarëve dhe jo të zhvat shtetin dhe të rëndojë jetën e tyre”, tha Bilall Kasami – Kryetar i VLEN-it.
“Mendoj që është kongres i jashtëzakonshëm sepse janë mësuar që qytetarët të dëgjojnë për përçarje, për fraksionime, për trazira, pra po ndodh e kundërta kongres i bashkimit. Me vetë faktin që në këtë kongres ishin dy kryeministra pra kryeministri i vendit dhe kryeministri i Kosovës tregon që VLEN-i dhe shqiptarët e Maqedonisë janë një urë e rëndësishme mes këtyre dy shteteve dhe e vleruan këtë ngjarje të rëndësishme të bashkimit të shqiptarëve dhe faktorizimit të shqiptarëve në kuadër të subjektit politik VLEN”, tha Izet Mexhiti – kryetar i VLEN-it.
Reaguan nga BDI, nga ku thonë se dita e djeshme duhet të mbahet mend vetëm si fillimi i fundit të një grupimi që sakrifikoi të ardhmen e popullit të vet për të ruajtur kolltukët.
“Vendosja e dy liderëve është dëshmi se partia është e ndarë në fraksione ende pa filluar punën. Ndërkohë që liderët vetëshpallen, ministra dhe funksionarë kyç nga radhët e tyre tashmë e kanë braktisur anijen, duke refuzuar të jenë pjesë e këtij projekti të dështuar, të destinuar vetëm për shpëtimin e disa karrierave politike”., thonë nga BDI.
Ndryshe mbrëmë në kongresin e VLEN-it mysafirë ishin edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Verut Hristijan Mickoksi. Në fjalimin e tij Kurti tha se bashkimi i VLEN përveç që dëshmon përgjegjësi politike qytetare përbën edhe një model të rëndësishëm bashkëpunimi për organizimet e ndryshme politike në rajon.
