Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët pas përhapjes së sërishme të mesazheve mashtruese përmes telefonisë celulare, të cilat njoftojnë rrejshëm për gjoba të supozuara në komunikacion. Sipas njoftimit zyrtar të cilin e përcjell portali monitor.mk, ditëve të fundit është vërejtur një frekuencë e lartë e porosive nga numra të huaj telefonikë, përmes të cilave kërkohet pagesa e gjobave të trafikut përmes internetit.

Skema e mashtrimit funksionon përmes dërgimit të një vegze që i drejton përdoruesit në një faqe të rreme interneti, e cila është dizajnuar të ngjajë plotësisht me faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pasi viktima klikon në këtë link, prej tij kërkohet fillimisht shënimi i targave të automjetit dhe më pas plotësimi i të dhënave të kartelës bankare për të kryer pagesën e paracaktuar.

Në deklaratën e saj, Ministria u bën thirrje qytetarëve që të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe të mos u besojnë mesazheve që vijnë nga faqe jolegjitime. Institucioni sqaron se porositë zyrtare që dërgohen nga ana e tyre mbajnë gjithmonë emrin e dërguesit MVR-SC dhe asnjëherë nuk dërgohen nga numra të zakonshëm apo të huaj.

Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së ka përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve dhe personave juridikë që të mos hapin asnjë dokument apo link të dyshimtë. Kjo masë paraprake është e domosdoshme për të shmangur keqpërdorimet e të dhënave personale dhe për të parandaluar humbjet financiare nga mashtrimet e kësaj natyre.