Një 65-vjeçar, menaxher i një qendre arsimore në Shtip, është vënë nën hetim nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip, nën dyshimet se për një periudhë të gjatë kohore ka prekur në mënyrë të papërshtatshme disa nxënëse të mitura gjatë mbajtjes së orëve shtesë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari nga shtatori i vitit 2023 deri më 11 maj 2026, duke shfrytëzuar faktin që u mbante mësim vajzave të moshës 13, 11 dhe 10 vjeç në një qendër arsimore private, u afrohej dhe i prekte në trup.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëhet e ditur se gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Rastin sot e komentoi edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila deklaroi se qendra të tilla private arsimore nuk janë nën kompetencat e Ministrisë së Arsimit, por paralajmëroi se po përgatitet një ligj për integrimin e tyre në sistemin arsimor, me qëllim monitorimin e punës së tyre.
“Këto institucione duhet të futen në sistem. Nuk bëhet fjalë vetëm për to, por edhe për institucione të tjera, madje edhe disa të arsimit të lartë që nuk janë fare pjesë e sistemit. Ka shkolla që kanë kërkuar vetë të integrohen dhe i falënderoj për këtë. Do ta realizojmë në një të ardhme të afërt”, deklaroi Janevska në një konferencë për media.
