Gazetare: Ajnur Bafqari

Në mesin e viktimave të identifikuara në aksidentin tragjik janë edhe dy familjarë, babë e bir. Bëhet fjalë për baritonin dhe solistin e Operës dhe Baletit Nacional të Maqedonisë, Riste Velkov, 51- vjeçar, dhe djalin e tij 20-vjeçar. Prej lëndimeve të marra në vendin e aksidentit kanë ndërruar jetë edhe dy të rinj të tjerë, P.M. dhe M.GJ., të dy 20-vjeçarë.

Ndërkohë, ALSAT mëson se drejtuesi i kamionit është personi me iniciale B.B. Behrami, 76-vjeçar, i cili drejtonte një kamion të tipit “MAN” me gjysmërimorkio dhe targa të Kosovës.
Duke marrë parasysh përmasat e aksidentit tragjik, moshën e drejtuesit dhe llojin e automjetit,  hapen edhe çështjet për aftësitë drejtuese të shoferit, për të cilat aktualisht autoritetet nuk kanë dalë me informacione. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka kufi të përcaktuara me ligj se deri në çfarë moshe mund të drejtohet një automjet, por përcaktohet se pas moshës 65 vjeçare, bëhen kontrolle më të rregullta shëndetësore për aftësinë e personit për të drejtuar automjet.

Shoferi ndodhet në paraburgim, ku pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet kallëzimi përkatës.

Në vendngjarje edhe sot vazhduan ekzaminimet teknike dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa qarkullimi në atë segment rrugor u zhvillua për disa orë me devijime dhe masa të rrepta sigurie.

Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe dëmtimeve të mëdha, identifikimi i viktimave kërkoi orë të tëra ekspertize nga ekipet e mjekësisë ligjore. /Alsat.mk

The post Zbulohen viktimat e aksidentit appeared first on Alsat.