Një dokument i ri i Departamentit amerikan të Shtetit e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane. Raporti thotë se stabiliteti që përpjekjet amerikane kanë ndihmuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon. Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.
Lidhur me luftimin e kërcënimeve ndaj SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, dokumenti i veçon Rusinë dhe Kinën si aktorë që “kërkojnë në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët” në rajon. Sipas dokumentit, Moska “nxit pakënaqësi etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor furnizimet me hidrokarbure për të ushtruar presion mbi politikanët”, ndërsa Kina përdor tregtinë, kreditë shtetërore, ryshfetin, propagandën dhe lidhjet me elitat për të zgjeruar ndikimin e saj. Raporti po ashtu thotë se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan”, duke përmendur lidhjet e tyre me kartelet e drogës, trafikimin e narkotikëve, migrimin e paligjshëm, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, raporti e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me mundësi për interesat komerciale amerikane, duke përmendur popullsinë prej 18 milionë banorësh, korridoret e rëndësishme të transportit, burimet natyrore, sektorin teknologjik në rritje dhe fuqinë punëtore të kualifikuar. Raporti vlerëson se Ballkani Perëndimor përballet me mangësi të mëdha në infrastrukturë. Sipas dokumentit, rrjetet e transportit nuk janë në nivelin e standardeve evropiane, gjë që ua rrit kostot bizneseve dhe e pengon integrimin e tregjeve. Departamenti do të angazhohet në mënyrë aktive për ta shndërruar interesimin rajonal në marrëveshje komerciale, thuhet në raport.
“Projektet prioritare përfshijnë gazsjellësin e Interkoneksionit Jugor mes Kroacisë dhe Bosnjë- Hercegovinës; një interkonektor të propozuar të gazit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut; zhvillimin hidroenergjetik në Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi; modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë; si dhe kabllo shtesë të transmetimit që lidhin rrjetet e Ballkanit Perëndimor me tregjet evropiane. /Alsat.mk
The post Raporti amerikan: Ballkani në fokus – Alarm për ndikimin rus dhe kinez appeared first on Alsat.
