Gazetare: Melihate Rustemi

Arsimi profesional po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi e rëndësishme për semimaturantët. Ky lloj arsimi, i cili kombinon mësimin teorik me praktikën, vlerësohet se ofron më shumë mundësi për punësim të shpejtë pas përfundimit të shkollës së mesme.

“Duhet të orientohen në drejtimet profesionale pasi që ka mundësi më të shumta që të futen në vende pune. Menjëherë pas kryerjes së shkollës së mesme si motër medicinale apo teknik medicinal mund të punësohesh nëpër spitalet e qytetit. Dëshiroj të mbetem këtu pasi që dua të jap kontribut për shtetin tim dhe njerëzit e mi këtu që janë, përse jo te mos kujdesemi për njerëzit tanë,” tha një nxënëse.

Në shkollën e mesme profesionale “Nace Bugjoni” në Kumanovë, semimaturantët kanë mundësi të konkurrojnë për tre paralele të drejtimit infermiere, njëra prej të cilave është paralele duale.

“Paralelja duale dallon në pjesën praktike me një numër të orëve shtesë në pjesën praktike dhe me një numër pak më të ulët të nxënësve, është i kufizuar numri, 24. Çdo vit e kemi plotësuar numrin e nxënësve por siç e shohim gradualisht numri i nxënësve bie në shkolla fillore, e shohim, edhe ne e hetojmë. Numri i praktikës besoj që është i mjaftueshëm për një profesion të tillë, ekziston edhe mësimi në kabinete në shkollën tonë, kemi memorandume bashkëpunimi me ordinanca dhe spitale.” – Valbona Xheladini, mësimdhënëse.

Mësimdhënësi Halim Misini vlerëson se arsimi profesional është gjithnjë e më i kërkuar nga tregu i punës, pasi kompanitë kanë nevojë për kuadro të gatshme për angazhim të menjëhershëm.

“Shpëtimi i  një ekonomie ose një vendi është shkollat profesionale. Realisht, në kohën e fundit është e vërtet se te ne po kërkohen akoma pa e mbaruar shkollën e mesme, kompanitë e ndryshme të cilat punojnë me ngjashmëri kërkojnë që nxënësit ti bashkëngjiten vendit të punës. Realisht kemi oferta nga kompanitë që bëjnë mobilje, ato që bëjnë pvc material. E pashmangshme do të jetë shkolla e mesme profesionale por sa më herët ta kuptojmë të gjithë si shoqëri do të kemi benefite”. – Halim Misini, mësimdhënës.

“Unë jam nxënës në drejtimin ETK ose përndryshe edhe si informatikë, jam i kënaqur shumë. Ky drejtimi jonë na hap shumë dyer. Edhe nëse nuk vazhdojmë në universitet, kjo shkollë na ofron diplomimin dhe me këtë diplomë mund të punësohemi. E kemi edhe praktikën, i kemi kabinetet për secilin drejtim, jemi të angazhuar edhe në kabinete,” u shpreh një nxënës. /Alsat.mk

The post Mësimdhënësit me apel: Zgjidhni profesionin, puna ju pret! appeared first on Alsat.