“Delegacioni shtetëror-kishtar i udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, paraditen e sotme në bazilikën “San Clemente” në Romë mori pjesë në lutjen pranë varrit të Shën Kirilit, me rastin e shënimit të Ditës së iluministëve mbarësllavë – 24 Majit”, raporton gazetarja e TV21, Almedina Ismajli.

Lutjen solemne e udhëhoqi kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, hirësia e tij Stefani, i cili tha se tha se vepra Shën Kirilit dhe e Metodit nuk është zhdukur ndër shekuj dhe se sakrifica e tyre vazhdon të japë fryte të reja.

“Prandaj misioni i tyre vazhdon të jetojë edhe sot. Në fund të fundit, shenjtorët nuk mbeten kurrë të mbyllur në kohën e tyre. Drita e tyre ndriçon dhe frymëzon edhe brezat që vijnë pas tyre”, tha H.T Stefani – kryepeshkop i Kishës Ortodokse Maqedonase.

Ministri i Kulturës Zoran Lutkov, në një deklaratë për mediat para kishës “San Clemente”, ku ndodhet varri i shenjtorit, theksoi se kjo kremte ka rëndësi të madhe shpirtërore dhe kulturore për vendin.

“Për ne si shtet, trashëgimia e vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi është e gjallë edhe sot, gjë që dëshmohet përmes përkushtimit dhe angazhimit tonë në ruajtjen e gjuhës maqedonase, kulturës dhe traditës shpirtërore, si dhe përkujdesjes ndaj trashëgimisë kulturore dhe promovimit të vlerave të dialogut, arsimit dhe respektit të ndërsjellë”, u shpreh ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.

Nderime bëri edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili së bashku me delegacionin që udhëheq vizitoi edhe bazilikën papnore “Santa Maria Maggiore”, ku do të vendosë kurorë lulesh pranë pllakës përkujtimore të shkruar në gjuhën maqedonase.

“Natyrisht për ne është me rendësi të theksohet se dy shtyllat, urat kryesore të lidhjes së dy kryeqendrave, të Vatikanit dhe Shkupit si kryeqendër e shtetit tonë, janë ardhja këtu për hir të Shën Kirilit dhe Metodit, por gjithashtu edhe Nënë Tereza si figurë, personalitet, e cila është urë lidhëse mes Vatikanit dhe mes Shkupit”, potencoi kryeparlamentari Afrim Gashi.

Në bazilikën “Santa Maria Maggiore”, delegacioni vizatoi edhe varrin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar.