Sheh dëshirë te kryeministri Hristijan Mickoski për ta ndihmuar që shteti të përparojë, por se ka dyshime për ekipin e tij. Këtë pikëpyetje e ka biznesmeni Goran Rafajllovski, i cili pas disa vitesh mungesë u shfaq sërish në intervistë televizive, në emisionin Biznes21 në TV21.
“Është ndryshuar dëshira, por realizimi është në nivel të keq. E, dëshira është ndryshuar. Do të thotë, sipas bisedave që kam pasur me kryeministrin, dëshira e tij është e jashtëzakonshme, mendoj se njeriu vërtet dëshiron dhe dëshiron të ndihmojë në Maqedoni, por nga ana tjetër ekipi që ka zgjedhur nuk ia kryen punën, ose nuk di ta kryejë punën. Kur të vini në një vend të caktuar, nuk është e rëndësishme të jeni ministër ose të keni ndonjë funksion. Duhet të keni plan. Duhet të harrohen ato programet e mëdha që i bëjnë partitë para zgjedhjeve. Maqedonia është vend i vogël. Neve na duhen miq seriozë dhe investitorë që do të investojnë te ne”, deklaroi biznesmeni Goran Rafajllovski.
Rafajllovski është kundër masës së Qeverisë për karburantet, përkatësisht kundër uljes së TVSH-së dhe akcizës për karburantet. Tha se është kundër atyre masave, por se shteti duhet të furnizojë naftë, madje edhe tani kur është më shtrenjtë se më parë.
“Nuk më pëlqen masa, ajo është reaktive Duhej të blihej naftë, ndoshta edhe tani, nëse shohim se po shkon drejt lufte. Duhet të blejmë naftë madje edhe tani Nuk mund të humbasim asgjë. Mund të humbasim 20 dollarë për fuçi, që nuk është asgjë. Ju vetë po i ulni të hyrat e shtetit”, u shprej biznesmeni Goran Rafajllovski.
Pronari i kompanisë Rafajlovski Consulting në Biznes21 foli edhe për politikat ekonomike dhe gjendjen e ekonomisë. Ai vlerësoi se vendimi i Qeverisë për të ndarë 250 milionë euro për ekonominë dhe 250 milionë euro shtesë për komunat është një hap pozitiv dhe i rëndësishëm, por theksoi se sektori i biznesit është bërë tepër i varur nga shteti dhe tenderët, gjë që sipas tij ka bërë që shumë kompani ta humbin iniciativën sipërmarrëse dhe qasjen e mirëfilltë të biznesit.
