“Unë nuk mendoj se dy skuadrat janë të kundërta. Arsenali është ndërtuar me imazhin e trajnerit të tij. Mikel Arteta ka nisur qartë nga ideologjia e futbollit të Pep Guardiolës, e bazuar në posedimin e topit. Janë jashtëzakonisht konkurrues dhe reflektojnë në mënyrë perfekte personalitetin e Mikel”, – tha trajneri i PSG-së, Luis Enrique, në një intervistë për faqen e UEFA-s, në prag të finales së Champions League kundër Arsenalit.

Më tej, trajneri spanjoll shtoi: “Janë skuadra më e mirë në mbrojtje në Europë prej disa vitesh. Arsenali është kombinim shkatërrues, sepse nuk varet nga një lojtar i vetëm. Shënon shumë nga goditjet standarde dhe ka ekuilibër të jashtëzakonshëm. Pëson shumë pak dhe në të njëjtën kohë shënon shumë gola”.

“Disa mund të thonë se nuk shënojnë nga aksione të ndërtuara kolektive, por sinqerisht…, a ka rëndësi kjo? Mjafton të pyesësh tifozët e Arsenalit, ata janë padyshim shumë të lumtur. Sapo kanë fituar Premier League dhe i përgëzoj. E meritonin që në fillim të sezonit, sepse kanë bërë një kampionat të jashtëzakonshëm. Kanë qenë shumë afër të fitojnë çdo kompeticion ku kanë marrë pjesë”, – tha Enrique më tej.

“Ne jemi të ngjashëm në faktin se, ashtu si Arsenali, kërkojmë të shfrytëzojmë maksimalisht cilësitë tona. Për ta bërë këtë duhet të mbajmë topin dhe të shprehemi përmes lojës. Edhe ne mund të jemi të rrezikshëm në goditje standarde, por na pëlqen më shumë të mbajmë posedimin, të luajmë me topin dhe të gjejmë hapësira për të thyer linjat kundërshtare, – nënvizoi trajneri i PSG. – Lojtarët tanë ndoshta kanë karakteristika më individuale, por gjithsesi luajnë në mënyrë kolektive.

Mendoj se po flasim për dy skuadra të mëdha; së bashku me Bayern Munich, ndoshta tri më të mirat në Europë. Prandaj duhet të përshtatemi, si në mënyrën e lojës, ashtu edhe në mbrojtje, duke bërë gjëra ndryshe nga ato që bëjmë zakonisht, nëse duam t’i mposhtim. Ne duam ende të bëjmë histori, besojmë se kemi ende shumë për të arritur. Është diçka e bukur, shpërblyese, emocionuese dhe frymëzuese”.

Në fund, një krahasim me finalen e fituar vitin e kaluar ndaj Interit: “Me zikaltërit kishte më shumë presion sepse të gjithë thoshin: ‘Ka ardhur momenti, këtë herë nuk mund të dështojmë’. Këtë herë presioni ekziston gjithsesi, por vjen nga fakti që ndjejmë se e meritojmë këtë arritje, për rrugëtimin që kemi bërë dhe për të gjitha skuadrat e mëdha që kemi eliminuar gjatë rrugës”.

The post Luis Enrique: Të përshtatemi me Arsenalin, duam të bëjmë histori. Me Interin kishte më shumë presion appeared first on Telesport.