Kryetari i Qytetit të Shkupit, në Click Plus në TV21, foli edhe për rrugën “Cvetan Dimov”. Gjorgjievski tha se për atë rrugë Komuna e Çairit po e pargatit projektin, ndërkaq shtoi se Qyteti i Shkupit ka parashikuar fonde në buxhet. Tutje për këtë investim theksoi se shpreson që deri në fund të vitit të fillojë procedura e tenderimit.
“Komuna e Çairit po e përgatit projektin, nga sa kam informacion, është në një fazë seriozisht të avancuar. Ne kemi parashikuar fonde në buxhet dhe shpresoj sinqerisht që deri në fund të vitit do të fillojmë një procedurë tenderimi për zgjedhjen e një kontraktori për atë rrugë. Unë tashmë kam hyrë në komunikim me disa nga pronarët e ndërtesave që do t’i nënshtroheshin shpronësimit atje sepse mundemi. Kur i shikon gjërat puna nuk duket e komplikuar. Unë tashmë kam komunikim, ka disponim vërtet të mirë atje sepse ata vetë janë të vetëdijshëm se duke hapur atë pjesë të rrugës së pari do të rrisim sigurinë atje, më në fund pas një kohe shumë të gjatë më shumë se tre dekadash do ta zgjidhim problemin, gjithashtu edhe vlera e ndërtesave të tyre do të jetë më e lartë sepse ata do të marrin një zgjidhje moderne për bulevardin, shtigje të rregulluara për biçikleta, zona për këmbësorë, fëmijët e tyre do të jenë të sigurt në rrugë”, tha Gjorgjievski në TV21.
