Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili e arsyetoi propozim-ligjin, e quajti atë zgjidhje historike me të cilën pas 24 vitesh përfaqësimi i drejtë rregullohet me ligj.
“Ky ligj ka për qëllim që përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia të ecin së bashku, sepse institucionet më të larta janë ato që janë profesionale dhe përfaqësuese. Gjithashtu, aspekti kryesor është fakti se ligji është i harmonizuar me Komisionin e Venecias. Pra bëhet fjalë jo për zgjidhje partiake, por për zgjidhje që është në përputhje me standardet evropiane dhe me shtetin e drejtë”, tha Bekim Sali – zëvendëskryeministri i parë.
Halil Snopçe nga Fronti Evropian kritikoi se propozim-ligji nuk është i mirë dhe se është vetëm një zgjidhje formale.
“Kemi një propozim-ligj pro-forma, por i njëjti nuk i plotëson standardet dhe nuk ka mekanizma, nuk ka kornizë kohore për këtë ligj. Partneri juaj VMRO-DPMNE i përgjigjet me një propozim-ligj formal, me të cilin pro-forma mbahet status quo”, u shpreh Halil Snopçe nga Fronti Evropian.
Për këtë replikoi Adnan Azizi nga VLEN, i cili tha se nuk duhet të minimizohet ky ligj që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
“Do t’ju lutesha që me simbole politike të mos e sensacionalizoni masën dhe opinionin dhe në mënyrë folklorike të mos tentohet të minimizohet një propozim-ligj që është historik dhe shumë i rëndësishëm për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, potencoi Adnan Azizi nga VLEN.
Skender Rexhepi e quajti propozim-ligjin skandaloz dhe të papërdorshëm.
“Që një propozim-ligj të jetë i suksesshëm duhet të ketë mekanizma që garantojnë suksesin. Mekanizmi i parë është që përfaqësimi i drejtë të ketë kuota etnike. Në mungesë të kuotave etnike, kjo do të thotë se ky propozim-ligj hidhet në kosh. Nëse gjatë punësimit nuk ka kuota që u garantojnë komuniteteve, atëherë ai propozim-ligj është i papërdorshëm”, theksoi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.
Sipas dispozitave, përfaqësimi i drejtë në institucione duhet të bazohet në të dhëna reale nga regjistrimi i fundit dhe në nevojat konkrete për punësim.
