Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka bllokuar hyrjen në vend të mbi 23 tonëve mish pule të ngrirë me origjinë nga Brazili. Sipas Agjencisë ngarkesa nuk i plotësonte standardet për mbrojtje nga virusi i shpendëve.
“Për shkak të mosrespektimit të vendimit të miratuar për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, produkteve dhe nënprodukteve me origjinë shtazore, me qëllim mbrojtjen nga futja e virusit të gripit të shpendëve me patogjenitet të lartë në vend, ngarkesa me mish pule të ngrirë është refuzuar, pasi ishte prodhuar në janar të vitit 2025. Sipas vendimit në fuqi, ndalohet importi i ngarkesave që rrjedhin nga kafshë të therura, të ngarkuara dhe të certifikuara para datës 1 gusht 2025”, njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
-Nuk u respektua vendimi për importin e kafshëve të gjalla
-Ndalohet importi nga kafshët të therura, të certifikuara para datës 1 gusht
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet ndalojnë hyrjen e produkteve të tilla në vend. Për të njëjtën arsye, në dhjetor të vitit të kaluar, në pikën kufitare u refuzua edhe një ngarkesë prej më shumë se 26 tonësh kofsha pule të ngrira, e cila u kthye në Brazil.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari u bën thirrje importuesve që të respektojnë me përpikëri legjislacionin dhe standardet e sigurisë ushqimore. Nga agjencia theksojnë se mbrojtja e shëndetit publik dhe garantimi i ushqimit të sigurt për qytetarët mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit dhe të shtetit./Alsat.mk.
The post Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ndalon importin e 23.6 tonëve mish pule të ngrirë nga Brazili appeared first on Alsat.
