Takimi me dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, ishte i mirë dhe i këndshëm, vlerësoi kryeministri Hristijan Mickoski, pasi dje zhvilloi takim me partnerët qeverisës e ku folën për rikonstruimin e kabinetit. Në interes të procesit, Mickoski nuk preferoi të flasë shumë rreth emrave konkretë, por tregoi se po rishikohen të gjitha mundësitë, përfshirë edhe për rokada resorësh.
“Rishikohen të gjitha opsionet. Në atmosferë të mirë dhe kënaqshme ishte takimi. Po shikohen opsione për ndryshime të resorëve. Mendoj se shumë shpejt do ta mbyllim këtë pjesë të parë të procesit për eshalonin e parë. (07,40) Le të themi deri në fund të javës së ardhme, deri në fund të qershorit, gjithë këtë ta formalizojmë dhe më së voni deri më 1 korrik, lista të gjendet në Kuvend para kuvendarëve. Më pas do të vazhdojmë edhe në strukturat e tjera, edhe në nivel lokal”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga VLEN, në një përgjigje për TV21, thanë se në takimin e mbrëmshëm është bërë një vlerësim fillestar i performancës së ekzekutivit dhe i dinamikës së realizimit të programit qeveritar. As nga këtu nuk flasin për emra konkretë.
“Koncepti që kemi paraqitur është që rikonstruimi të mos reduktohet në ndryshim individësh, por të shërbejë si instrument për përshpejtimin e reformave dhe dhënien e një dinamike dhe shtytjeje të re proceseve që janë në interes të qytetarëve. Sa u përket emrave, ende është herët të flitet. Procesi sapo ka filluar dhe pritet të vazhdojë edhe me takime të tjera mes partnerëve qeveritarë”, thonë nga VLEN.
Ministri i politikës sociale, Fatmir Limani, është një ndër emrat që nuk dihet nëse do të mbetet në kabinetin qeverisës, pasi ministër u bë si VLEN, me të cilën tashmë i ka ndarë rrugët. I pyetur rreth kësaj, Limani tha se dihet se postet nuk janë të përjetshme, ndërsa e krahasoi Mickoskin me seleksionues futbolli, që përzgjedh ekipin me të cilët do të luaj dhe askush nuk duhet t’i bëhet barrë në këtë proces.
“Ne e dimë se bota, por edhe jeta jonë në këtë planet nuk është e përjetshme, kështu nuk janë të përjetshme as pozitat. Theksova se nuk jemi këtë për të qenë barrë e dikujt, por për të lehtësuar, që të nderojmë projekte. Edhe nëse sot përfundon mandati im, mendoj se më shumë duhet të orientohemi drejt asaj se çfarë bëmë për të mirën e këtij shtetit dhe populli”, u shpreh Famtmir Limani – ministër i Politikës Sociale.
E pas takimit me liderët e VLEN-it, Mickoski sot takon partnerët tjerë të koalicionin qeverisës, nga partia “ZNAM” e Maksim Dimitrievskit. Mbrëmë ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, që vjen nga radhët e ZNAM-it, tha se partia tashmë ka bërë një rishikim të punës dyvjeçare të të gjithë funksionarëve të saj dhe se vlerësimi është se kuadrot e partisë po e kryejnë punën e tyre në mënyrë të shkëlqyer. Por sot, duke folur për ZNAM-in, Mickoski tha se në takim do të flasin “për të gjitha anët e mira, por edhe dobësitë”.
