Në një intervistë për “Repubblica”, Giovanni Malagò, i zgjedhur president i FIGC me 68.58% të votave, kujtoi fëmijërinë e tij: “Mendimi i parë më shkoi te babai im. Kur isha 6-7 vjeç më çonte çdo të diel në ‘Olimpico’. Është e vështirë të besohet, por isha njëkohësisht tifoz i Romës dhe Lazios. Madje isha shumë krenar për ato dy abonime”.

Duke folur për krizën e futbollit Italian shtoi: “Shumë herë kam thënë se, kur ishim ende më të mirët në botë, presidentët tanë të mëdhenj Moratti, Berlusconi, Agnelli, Cragnotti dhe Sensi mund të kishin hequr dorë nga një ose dy paga lojtarësh dhe të merrnin një kredi për ndërtimin e stadiumeve”.

I pyetur nëse Roberto Mancini do të jetë trajneri i ri i Italisë, Malagò u përgjigj: “Nuk kam folur me Roberton dhe nuk ka veto për askënd. Kushti kryesor është entuziazmi dhe bindja. Nuk duhet ta pranojë projektin vetëm për para. Një trajner i huaj? Kurrë mos thuaj kurrë”.

Për postin e drejtorit teknik shtoi: “Do të doja një ish-futbollist, por nuk kam folur me askënd për role konkrete. Kam kontakte me Maldinin, kam takuar Del Pieron, kam përqafuar Baggion dhe kam folur me Buffonin”.

Malagò komentoi edhe mungesën e 6 përfaqësuesve të AIC në asamblenë e zgjedhjes së tij: “Të bën të reflektosh, por nuk dua të gjykoj askënd. Nëse je në Amerikë me familjen është një gjë, nëse je në Capri është diçka tjetër”. Për marrëdhëniet me ministrin Andrea Abodi shtoi: “Ishte personi i dytë që më telefonoi. Do të takohemi këtë javë. E kuptova që nuk ishte i lumtur me kandidaturën time, por e lë gjithçka pas krahëve”.

The post Rrëfehet Malagò: Ah sikur të kishim edhe sot presidentë klubesh si Moratti dhe Berlusconi! appeared first on Telesport.