Pas stuhisë së fuqishme që goditi sot Shkupin, kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit dhe ekipet e ndërmarrjeve publike janë plotësisht të mobilizuara dhe të gatshme për ndërhyrje në terren.

Sipas njoftimit të tij, shërbimet janë në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK), Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), EVN-në, Brigadën e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim që të reagohet në kohë në rast të përmbytjeve, dëmeve ose pasojave të tjera të motit të lig.

Gjorgjievski bëri të ditur se të gjitha kapacitetet në dispozicion janë vënë në funksion dhe se ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës, duke ndërhyrë kudo që do të jetë e nevojshme.

Njëkohësisht, ai u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente, duke theksuar se institucionet janë të përgatitura t’u përgjigjen të gjitha sfidave të shkaktuara nga stuhia.