Charles Leclerc me Ferrari triumfoi të dielën pasdite në pistën e Silverstone, garë e vlefshme për Cmimin e Madh të Aglisë në Formula 1. Ky është suksesi i parë sezonal për pilotin monegask, që rikthehet te suksesi pas gati dy vitesh.

Një triumf i merituar në një garë që e udhëhoqi shumicën e kohës. Leclerc mori kryesimin që në kthesën e parë dhe falë një Ferrari të shpejtë dhe fatit që i buzëqeshi në 10 xhirot e fundit mori një fitore të rëndësishme.

Por Ferrari gaboi me Hamilton, duke e futur për të ndërruar gomat 4 xhiro nga fundi nën regjimin e makinës së sigurisë. Britaniku, që ishte i dyti, humbi atë pozicion në dëm të patriotit të tij George Russell, që nuk i ndërroi gomat.

Makina e sigurisë, që hyri për shkak të aksidentit të Max Verstappen me Red Bull, nuk u largua deri në fund dhe ai gabim i kushtoi vendin e dytë dhe pikë të rëndësishme Hamilton (i treti) pas pilotit të Mercedes (Russell i dyti).

Në vendin e katërt u rendit kampioni i botës në fuqi, Lando Norris me McLaren, që la pas Isack Hadjar, Liam Lawson, Arvid Lindblad, Gabriel Bartoleto, Franco Colapinto e Pierre Gasly. Jashtë zonës së pikëve përfundoi Kimi Antonelli me Mercedes.

Piloti italian, teksa po garonte për fitoren me Leclerc, 8 xhiro nga fundi pati probleme me makinën dhe pjesën e përparme. Ai bëri dy ndalesa dhe po luftonte për një pikë, por penaliteti me 5 sekonda bëri që ta mbyllë garën në vendin e 16-të.

Pas kësaj gare, Antonelli vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme, por tashmë ka vetëm 25 pikë avantazh ndaj shokut të tij të skuadrës George Russell (i dyti). Afrohen në renditje edhe Hamilton (nën hetim nga komisarët pas garës) e Leclerc.

The post Leclerc triumfon në Silverstone, gafa e Ferrari i jep vendin e dytë Russell në dëm të Hamilton, 0 pikë për Max e Kimi appeared first on Telesport.