Nga Ivan Zazzaroni*
Messi padyshim e mposht Cristiano Ronaldon, por nuk merr fitore unanime në sfidën (krahasimin) me Maradonën. Nga viti 2006 e në vazhdim nuk ka pasur Botëror që të mos na ketë vënë në kushtin për të krahasuar dy “jashtëtokësorët” e historisë së futbollit. Në mungesë objektiviteti, i cili nuk mund të vijë vetëm nga rezultatet, kam arritur në një përfundim, më elementarin, por edhe më realistin.
Nëse je 10 vjeç, përgjigjesh Messi; nëse je 20 vjeç, bën të njëjtën gjë; nëse je 30, Messi është gjithmonë përpara. Edhe nëse je 40 vjeç, zakonisht preferon Leon. Ata në të 50-tat e lart, domethënë nëse ke pasur fatin, privilegjin ta shohësh disa herë Maradonën në TV ose akoma më mirë drejtpërdrejt, nëse ke ndjekur gjithë trajektoren e tij teknike, nuk mund të përgjigjesh ndryshe përveç Diego, me “forever”.
Sepse ai ishte diçka tjetër, shkaktonte emocione në nivelin më të lartë. Diego nuk ishte vetëm vizion mes linjave, gjest magjik, goditje dënimi që sfidonin arsyen dhe ligjet e fizikës. Diego ishte betejë, Diego ishte stuhi, Diego ishte retorikë, zemërim, dashuri, robinhudizëm, Amerikë e Jugut, Malvinas, polici, prostituta, kokainë, Kusturica, Fidel, ngritje, rënie.
Diego kishte qenë mbret dhe më pas kishte lënë të hynin “pretendentët” kur nuk kishte më as qytet për të mbrojtur, as urë për të ulur, as kujdes për veten, tashmë i zhveshur, i pambrojtur, i reduktuar në ndjekjen vetëm të kujtimit. Messi, në të mirë dhe në të keq, nuk mund të jetë kurrë i tillë. Messi është një roman formimi, është Jack London, ndërsa Maradona është Bukowski.
Edhe për këtë arsye, dhe jo vetëm për këtë, Diego është tjetër gjë. Është tjetër gjë për ata që valëvisin primatin gjeneracional (mendoni se ka edhe nga ata që nuk kanë parë kurrë Alfredo Di Stefano në veprim dhe për t’u dukur e konsiderojnë madje më të fortë dhe më të plotë se dy fenomenët), për ata që flasin edhe për Pelén, një video pesë minutëshe në YouTube, kur shkon mirë, në një botë ku për të krijuar dhe shprehur një opinion, në fund vlen gjithçka, por teprimi vlen pak më shumë.
Maradona dhe Messi janë gjithsesi prova që në futboll ekzistojnë forma të tjera jete…
* Drejtor i Corriere dello Sport”
The post Opinion / Messi dhe Maradona; ja pse janë dy botë, dy universe që nuk krahasohen dot appeared first on Telesport.
