Me kritika të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe pushtetit vazhdoi debati për amendamentet e ribalancit të buxhetit. Opozita kërkoi më shumë mjete për projekte lokale infrastrukturore, diga, rrugë, sisteme të ujësjellësit, teleferikë dhe banesa sociale, të cilat nuk u pranuan nga pushteti.
“Me këtë amendament kërkojmë të sigurohen mjete në vlerë prej 615 milionë denarësh për ndërtimin e teleferikut që do ta lidhë qytetin e Tetovës me Kodrën e Diellit. Ky projekt është një investim strategjik, shumë i rëndësishëm për infrastrukturën turistike, ekonomike dhe të transportit në rajonin e Pollogut”, tha Blerim Bexheti.
“Paralajmërimi i fundit i tillë ishte nga Qeveria, ku anëtarë janë edhe nënshkruesit e këtij amendamenti, e cila negocioi me kompaninë italiane TechnoAlpin. U paralajmërua një projekt ambicioz për zhvillimin e qendrës së skijimit me vlerë rreth 168 milionë euro. Projekti dukej shumë mirë, prezantimet ishin mbresëlënëse. Do të ndërtoheshin 16 pista skijimi, 9 teleferikë të rinj, 2 hotele spa dhe 15 pista për skijim kros-kantri. Dhe çfarë nuk dëgjuam se do të ndërtohej, por investimi nuk u realizua kurrë”, tha Lidija Petkoska.
Janë dorëzuar gjithsej 224 amendamente, prej të cilave 90 nga BDI-ja, 78 nga LSDM-ja, 51 nga Levica dhe pesë nga VLEN-i.
Me ribalancin e buxhetit rriten edhe të hyrat, edhe shpenzimet në arkën shtetërore.
Rritja ekonomike është projektuar në 3,5 për qind, inflacioni në 4,5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 4,1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Debati për amendamentet zgjat 10 ditë, pas së cilës ribalanci kalon në seancë plenare.
Plani është që ai të miratohet deri në fund të muajit.
