Është promovuar përfundimi i rikonstruktimit të rrugës “Shtipi” në Tetovë, në një aktivitet ku morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Sipas njoftimit të koalicionit VLEN, projekti është realizuar me një investim prej mbi 17.5 milionë denarësh dhe ka përfshirë rikonstruktimin e plotë të rrugës, ndërtimin e kanalizimit atmosferik, trotuareve, ndriçimit publik dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore.
VLEN vlerëson se investimi do të ndikojë në rritjen e sigurisë në komunikacion dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e kësaj zone.
Në të njëjtin njoftim, koalicioni thekson se gjatë dy viteve të fundit të qeverisjes janë siguruar mbi 7 milionë euro për realizimin e 29 projekteve infrastrukturore në Komunën e Tetovës.
Sipas VLEN-it, këto investime dëshmojnë se projektet konkrete realizohen kur ekziston vullnet politik dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa koalicioni shton se do të vazhdojë të fokusohet në investime dhe zhvillim në komunat e vendit.
