Kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski, tha se mesazhin që e dërgoi dje për largimin nga BNJVL, nuk e kanë marrë me seriozitet. Siç pohon ai, në vend që ta ndryshojnë sjelljen, pushteti përmes mediave të afërta me të vazhdon me presione ndaj tij dhe Karposhit.
“Mendoj se punën duhet ta kuptojnë seriozisht, për shkak se largimi nga institucionet nuk është një hap politik, përkundrazi, largimi nga ky institucion është hap pragmatik në kushte kur ushtrohen presione të vazhdueshme ndaj komunës së Karposhit”, tha Stevço Jakimovski.
Nga ana tjetër, ministri i vetëqeverisjes lokale thirri që të mbizotërojë racionaliteti, sepse siç tha, vendimet e këtilla i dëmtojnë qytetarët. Shton se BNJVL aspak nuk ka marrë pjesë në shpërndarjen e mjeteve të huamarrjes hungareze, por se këtë punë e bën qeveria.
“Apeloj që të mbizotërojë racionaliteti, për shkak se mendoj se vetëm nëse BNJVL dhe vetëqeverisjet lokale që plotësisht janë të integruar në suazë të BNJVL, marrin vendime të tyre, do të jenë partner i njohur në qeveri. Nëse vazhdon ky trend negativ, mendoj se vetëm qytetarët e këtyre komunave që do të ishin jashtë BNJVL-së, do të pësojnë dëm. Nuk është mirë dhe mendoj se në periudhën që vijon do të mbizotërojë mirëkuptimi dhe do të korrigjohen këto vendime dhe BNJVL do të fillojë të funksionojë ashtu siç duhet funksionuar”, deklaroi Zllatko Perinski.
Në mbrojtje të qeverisë doli edhe ministri i ambientit jetësor, Izet Mexhiti.
“Mendoj se kjo është hera e parë që qeveria të mos diskriminojë asnjë komunë në asnjë bazë dhe kjo është për t’u përshëndetur”, tha Izet Mexhiti.
Gjatë ditës së djeshme, kryetarët e Strumicës dhe Karposhit, Kosta Kostadinov dhe Stevço Jakimovski paralajmëruan se do të dalin nga BNJVL për shkak të sjelljes jokorrekte të pushtetit ndaj këtyre komunave dhe sjelljes injorante për projektet e tyre. Jakimovski madje akuzoi për presione nga ana e disa ministrave. Kreu i BNJVL-së, Orce Gjeorgievski shprehu gatishmëri që të bisedojë me ta për ta tërhequr vendimin e tyre.
