Një ekip mobil i Drejtorisë së Doganave ka parandaluar tentimin për kontrabandim të rreth 2 mijë ampulave me tretësirë mjekësore “Gadovist”, të cilat një shtetas i Kosovës, shofer i një kamioni, tentonte t’i fshihte në kabinën e automjetit.
Sipas njoftimit të Doganës, shoferi, i punësuar në një kompani transporti nga Kosova, po transportonte profile alumini nga Turqia drejt Kosovës. Ai është ndaluar për kontroll nga ekipi mobil në pikën kufitare Deve Bair. Në pyetjen nëse kishte diçka për të deklaruar përveç mallrave të paraqitura, ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë tjetër.
Nga Dogana bëjnë të ditur se preparatet janë sekuestruar, ndërsa ndaj personit është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandim”, e dënueshme sipas Kodit Penal.
“Gadovist 7.5 ml” është preparat që përdoret në mënyrë intravenoze gjatë ekzaminimeve me rezonancë magnetike dhe kërkon leje të posaçme importi, si dhe kushte të rrepta për ruajtje dhe transport.
Drejtoria e Doganave njoftoi se gjatë këtij viti ka parandaluar 13 raste të kontrabandimit të barnave dhe preparateve mjekësore, duke sekuestruar gjithsej rreth 29 mijë copë produkte mjekësore.





