Më shumë se 900 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, sipas shifrave më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e vendit, shkruajnë mediat e huaja.

Deri të shtunën, më 18 korrik, ishin regjistruar 2.344 raste të konfirmuara dhe 930 vdekje, raportoi Associated Press.

Brenda 24 orëve, nga e premtja, 19 korrik, deri të shtunën, u regjistruan 37 vdekje, një nga shifrat më të larta ditore të regjistruara ndonjëherë.

Aktualisht, 724 pacientë ndodhen në izolim dhe në spitale, njoftoi ministria, duke shtuar se po intensifikon përpjekjet e reagimit në zonat më të prekura.

Shpërthimi aktual i cili u shpall fillimisht në lindje të vendit më 15 maj dhe u cilësua si emergjencë globale shëndetësore dy ditë më vonë është ai me përhapjen më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë, sipas AP-së.

Ebola është shumë ngjitëse dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, por virusi Bundibugyo përgjegjës për shpërthimin aktual është më pak i zakonshëm se viruset e tjera që mund ta shkaktojnë këtë sëmundje; kjo do të thotë se aktualisht nuk ka asnjë trajtim apo vaksinë të miratuar, njoftoi agjencia.

Sipas “Mayo Clinic”, Ebola përhapet përmes lëngjeve trupore, duke përfshirë pështymën, djersën, gjakun dhe jashtëqitjen.

Njerëzit mund të ekspozohen ndaj Ebolës përmes kafshëve të infektuara, personave të infektuar dhe sipërfaqeve apo objekteve të kontaminuara.

Ndërkohë, që nga fillimi i shpërthimit të epidemisë janë regjistruar të paktën 12 sulme ndaj punonjësve dhe objekteve shëndetësore, kryesisht për shkak të thashethemeve dhe pretendimeve të rreme, sipas agjencisë AP.

Gjithashtu, në Kenian fqinje ka pasur përplasje midis aktivistëve dhe policisë lidhur me ndërtimin e një qendre karantine të financuar nga SHBA-ja në kryeqytetin Nairobi, ku mbeti i vrarë një protestues, raportoi Reuters.

Ndërkaq, disa punonjës shëndetësorë në Republikën Demokratike të Kongos (RDK) kanë braktisur vendet e tyre të punës në shenjë proteste për shkak të mospagesës, ndërsa të paktën 36 prej tyre kanë humbur jetën pasi janë infektuar me virusin, sipas AP-së.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësimin se deri në 80% e rasteve të reja të Ebolës vijnë nga zinxhirë transmetimi që nuk ishin identifikuar më parë përmes gjurmimit të kontakteve, çka tregon se epidemia po përhapet me një shpejtësi më të madhe sesa mund të ndjekin autoritetet.

Jashtë Republikës Demokratike të Kongos (RDK), janë regjistruar 20 raste të konfirmuara dhe dy vdekje të konfirmuara, si dhe një rast i mundshëm dhe një vdekje e mundshme në Ugandën fqinje, si dhe një rast i konfirmuar në Francë, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar kanë punuar për një vaksinë kundër variantit Bundibugyo, e cila së shpejti do të testohet te të rriturit e shëndetshëm.

Ky lajm erdhi disa javë pasi një këshilltar i OBSH-së deklaroi se zhvillimi i një vaksine mund të kërkonte nga gjashtë deri në nëntë muaj.