Në Shqipëri, klubet e futbollit nuk janë vetëm skuadra që zbresin në fushë çdo fundjavë. Në shumë qytete të vogla ato janë historia e komunitetit, krenaria e brezave, arsyeja pse fëmijët ëndërrojnë të veshin fanellën e qytetit të tyre dhe një nga aktivitetet e pakta që ende bashkon njerëzit.
Pikërisht për këtë arsye, reforma e re territoriale e propozuar nga mazhoranca socialiste nuk mund të analizohet vetëm nga këndvështrimi administrativ apo politik. Ajo ka edhe një dimension sportiv, për të cilin deri tani është folur shumë pak.
Shkrirja e 15 bashkive nuk nënkupton vetëm zhdukjen e institucioneve vendore. Për shumë qytete, ajo mund të nënkuptojë edhe fillimin e fundit për klubet sportive që varen pothuajse 100% nga buxhetet e bashkive. Nëse shuhet Bashkia Cërrik, çfarë ndodh me Turbinën? Nëse Bashkia Patos nuk ekziston më, kush do ta mbajë gjallë Albpetrolin? Çfarë do të ndodhë me klubin e Maliqit, me Memaliajn, Dimalin, Klosin dhe dhjetëra ekipe të tjera që mbijetojnë falë financimit publik?
Deri më sot, askush nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. Dhe kjo është shqetësuese. Sepse në Shqipëri modeli i financimit të sportit është krejt ndryshe nga ai europian. Klubet tona, në pjesën më të madhe, nuk jetojnë nga të drejtat televizive, sponsorët apo shitja e lojtarëve. Ato jetojnë falë taksave të qytetarëve, përmes buxheteve të bashkive. Në momentin që ndryshon struktura e pushtetit vendor, ndryshon automatikisht edhe fati i tyre.
Pyetjet që lindin janë të shumta dhe krejtësisht legjitime: Kush do t’i financojë këto klube pas reformës? Kush do ta marrë pronësinë dhe administrimin e tyre? Çfarë do të ndodhë me stadiumet, terrenet sportive, pallatet e sportit dhe akademitë e të rinjve? A ka një plan konkret për vazhdimësinë e tyre, apo gjithçka do të lihet në dorë të fatit?

Nëse një bashki e re e zgjeruar tashmë do të trashëgojë dy, tri apo edhe katër klube, është e vështirë të besohet se të gjithë do të trajtohen njësoj. Realiteti financiar tregon të kundërtën. Burimet do të përqendrohen dhe dikush do të mbetet jashtë. Në fund, një klub mund të humbasë financimin, të tërhiqet nga kampionati ose, në skenarin më të keq, të zhduket.
Kjo nuk është një çështje që prek vetëm sportin. Një klub futbolli në qytetet e vogla është shumë më tepër sesa 90 minuta lojë. Ai është identitet, histori dhe kujtesë kolektive. Është vendi ku janë rritur breza futbollistësh, ku familjet mblidhen çdo fundjavë, ku fëmijët gjejnë një ëndërr dhe alternativë të shëndetshme.
Prandaj, përpara se Kuvendi të miratojë një reformë që ndryshon hartën administrative të vendit, duhet të ekzistojë një strategji publike edhe për hartën sportive të Shqipërisë. Nuk mjafton të thuhet se bashkitë do të bashkohen. Duhet të dihet se çfarë do të ndodhë me klubet që mbahen prej tyre.
Nëse qeveria ka një plan për mbrojtjen e këtyre klubeve, është momenti ta bëjë publik. Nëse nuk ka, atëherë ekziston rreziku real që reforma territoriale të prodhojë “vdekje të heshtura” klubesh në futbollin shqiptar. Sepse një klub që mbyllet nuk është vetëm një emër që zhduket nga renditja e kampionatit.
Me të zhduket një histori, një fanellë, një stemë, një tribunë dhe një pjesë e shpirtit të atij qyteti. Reformat administrative mund të ndryshojnë kufijtë në hartë, por ato nuk duhet të fshijnë identitetin sportiv të komuniteteve shqiptare. Sepse futbolli nuk është thjesht një shpenzim në buxhetin e një bashkie. Ai është investim te rinia, te komuniteti dhe te vetë identiteti i qyteteve.
The post Reforma territoriale dhe futbolli shqiptar. A rrezikojnë të “shkrihen” edhe klubet bashkë me bashkitë? appeared first on Telesport.
