LSDM-ja opozitare akuzon se i gjithë qyteti i Gostivarit është helmuar, se mbi 4.000 njerëz janë përballur me pasoja shëndetësore nga uji i ndotur, ndërsa mbi 50 vendbanime janë helmuar nga uji i ndotur. Populli po e paguan çmimin me shëndetin e tij, thonë nga LSDM-ja, e cila kërkoi dorëheqje nga kryeministri, por edhe nga ministrat Klekovski dhe Toshkovski.

“Dhe prej katër javësh, qytetarët e Gostivarit nuk kanë qasje në ujë të pastër. Tani do të pritet deri më 20 gusht që të bëhen të ditura rezultatet e analizave të ujit të pijshëm në Gostivar. Deri atëherë, qytetarët janë lënë të vetëm, në pasiguri dhe frikë për shëndetin e tyre. Në ankth se mos shfaqen sëmundje të reja, pasoja të reja për shëndetin e tyre”, tha Keti Shterjova nga LSDM.

Nga LSDM-ja i bënë thirrje Prokurorisë të reagojë dhe të hapë lëndë kundër personave përgjegjës në pozitat ministrore.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja u kundërpërgjigj se pikërisht gjatë kohës së qeverisjes së LSDM-së dhe kur ministër ishte Filipçe, analizat kishin treguar se në shumë qytete të Maqedonisë uji ishte i ndotur. Në vend të moralizimit dhe përhapjes së histerisë, LSDM-ja dhe Venko Filipçe duhet të shpjegojnë publikisht pse për vite me radhë nuk ka pasur përgjegjësi institucionale për rastet e ujit të pasigurt për pije, thonë nga partia në pushtet.

“Dokumentet nga analizat e kryera, të cilat u prezantuan në publik, tregojnë se gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së dhe gjatë mandatit të Filipçes si ministër, janë evidentuar raste të ujit të pasigurt për pije në disa vendbanime në mbarë vendin, përfshirë edhe Gostivarin. Sot, të njëjtët aktorë politikë përpiqen të flasin për përgjegjësi, edhe pse pikërisht gjatë mandatit të tyre nuk janë ndërmarrë hapa adekuatë për sanksionimin e lëshimeve”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në mes të korrikut, Prokuroria hapi lëndë për ujin e ndotur në Gostivar. Me kërkesë të saj, Gjykata në vendosi që tre të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Nën hetimin janë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Gostivar, Artana Asani, drejtuesi i Departamentit të Ujësjellësit, Vadedin Dauti, si dhe drejtori teknik i Ndërmarrjes Leon Mezini.