Një pacient nga Shkupi, i cili pësoi lëndim të rëndë të palcës kurrizore gjatë pushimeve në Kushadasi të Turqisë, është transportuar me avion qeveritar dhe është shtruar në Klinikën Universitare për Traumatologji dhe Mjekim Intensiv në Shkup.

Sipas drejtorit të klinikës, Igor Merxhanovski, pacienti u lëndua në një aksident në një rrëshqitëse uji dhe më 23 korrik iu nënshtrua operacionit në Turqi, ku qëndroi i shtruar deri në transportimin e tij në vend.

Me kërkesë të mjekëve turq dhe për shkak të seriozitetit të lëndimit, në Turqi u dërgua ekip mjekësor, i cili e shoqëroi pacientin gjatë kthimit në Shkup.

Mjekët vlerësojnë se ndërhyrja e kryer në Turqi është e kënaqshme, ndërsa pacienti tani ndodhet në mjekim intensiv dhe do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme dhe rehabilitimit, përfshirë fizioterapinë në qendrën spinale në vend./TV21