Hapet Konferenca Botërore e Robotikës 2026 në Pekin

Të mërkurën u hap në Pekin Konferenca Botërore e Robotikës 2026, me temë “Bashkëjetesa mes njerëzve e robotëve, integrimi mes prodhimit dhe kërkesës”. Gjatë pesë ditëve të zhvillimit të saj, konferenca do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për paraqitjen e arritjeve më të fundit, produkteve të reja dhe teknologjive të përparuara robotike, si edhe si një hapësirë ku publiku mund t’i përjetojë nga afër këto zhvillime.

Foto nga VCG

Edicioni i këtij viti përfshin forumin kryesor, ekspozitën dhe mbi 70 aktivitete paralele, me mbështetjen e 30 organizatave ndërkombëtare. Mbi 300 kompani marrin pjesë në ekspozitë, 69 % më shumë se vitin e kaluar. Ekspozita, e ndarë në katër zona tematike, pritet të përfshijë mbi 3 000 objekte, 300 prej të cilave shfaqen për herë të parë.

Foto nga VCG

Prodhues të shumtë të robotëve humanoidë do të paraqesin modelet e tyre, ndërsa në kuadër të konceptit “robotë + skenarë përdorimi” do të shfaqen zgjidhje për prodhimin industrial, shërbimet në restorante dhe shitjen me pakicë, kujdesin shëndetësor, shërbimet për të moshuarit dhe operacionet e emergjencës. Në ekspozitë marrin pjesë gjithashtu kompani që prodhojnë përbërës kyçë për të gjithë zinxhirin industrial të robotikës.

Foto nga VCG

Gjatë konferencës do të nisë edhe Plani Global për Eksplorimin e Aplikimeve të Robotëve, i cili do t’u ofrojë ekipeve inovative nga vende të ndryshme mundësinë të përdorin falas produkte robotike të prodhuara në mënyrë masive.

Për herë të parë është krijuar edhe një “rrugë konsumi me robotë”, ku vizitorët mund të përjetojnë një kombinim të teknologjisë, ushqimit dhe produkteve kulturore e krijuese.

Foto nga VCG

Sipas të dhënave, nga janari deri në maj të këtij viti, të ardhurat e kompanive kineze të robotikës mbi madhësinë  e përcaktuar i kanë kaluar 90 miliardë juanët, me një rritje prej 26.9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë pesë viteve të fundit, sektori ka ruajtur një rritje mesatare mbi 20 %.