Alban Xhaferi ka thyer heshtjen, pas dënimit që dha Disiplina ndaj tij, me 6 muaj pezullim, moslejim hyrjeje në asnjë stadium apo fushë futbolli. Shkak u bë goditja e arbitrit të katërt të ndeshjes Elbasani-Vllaznia prej tij me grusht: “Kam pranuar përgjegjësinë time, kam kërkuar publikisht ndjesë për veprimet e mia dhe vendimin e marrë nga Komisionit të Disiplinës dhe Etikës do ta respektoj. Por pikërisht për këtë arsye, besoj se kam sot të drejtën dhe detyrimin të kërkoj që i njëjti standard të vlejë për të gjithë.

Prej kohësh kam ngritur një shqetësim të qartë: nuk mjafton të dënojmë vetëm pasojën. Duhet të kemi kurajën të analizojmë dhe të ndryshojmë edhe ato pjesë të sistemit që prodhojnë padrejtësi, tension dhe humbje besimi në garë.

Dua t’i rikthej opinionit sportiv një episod që nuk duhet harruar. Më 23 maj 2026, në ndeshjen ‘Final Four’, Vllaznia–Egnatia, lojtari i Egnatias, Aliev, goditi me bërryl në fytyrë lojtarin tonë Erdenis Gurishta, duke i shkaktuar një dëmtim serioz në hundë.

Pamjet flasin vetë. Megjithatë, nuk pati karton të kuq. Nuk ndërhyri arbitri i ndeshjes, Enea Jorgji, dhe nuk pati ndërhyrjen që prisnim as nga Juxhin Xhaja në VAR.

Dhe nuk po flasim për një episod periferik. Ishte një moment që mund të ndryshonte rrjedhën e një ndeshjeje vendimtare për titullin kampion. Në vlerësimin tonë, Vllaznia duhej ta vazhdonte atë ndeshje përballë një kundërshtari me dhjetë lojtarë.

Sot Aliev vazhdon normalisht aktivitetin e tij futbollistik, ndërsa Gurishta është ai që mbajti dhe vazhdon të mbajë pasojat e asaj goditjeje. Edhe Enea Jorgji dhe Juxhin Xhaja kanë vazhduar aktivitetin e tyre pa një masë disiplinore të bërë publike për atë episod. Prandaj pyetja është shumë e thjeshtë:

A duhet të ketë një standard për presidentët, drejtuesit dhe klubet, dhe një standard tjetër kur gabimet apo mosveprimet vijnë nga njerëzit që duhet të garantojnë drejtësinë e ndeshjes? Nëse kërkojmë, me të drejtë, ZERO TOLERANCË ndaj dhunës, atëherë ajo duhet të jetë zero tolerancë për të gjithë.

Dhe kam dy pyetje publike për FSHF-në dhe opinionin sportiv: A mund të garantohet qetësia, besimi dhe një ndeshje pa tension nëse Enea Jorgji apo Juxhin Xhaja caktohen përsëri për të arbitruar ndeshjet e Vllaznisë? A mund të flasim bindshëm për parandalimin e dhunës në futboll, nëse një goditje e tillë me bërryl, me pasoja konkrete për shëndetin e një futbollisti, kalon pa përgjegjësi sportive?

Unë nuk kërkoj privilegj për Vllazninë. Nuk kërkoj një standard tjetër për veten. Kërkoj pikërisht të kundërtën: TË NJËJTIN STANDARD PËR TË GJITHË. Sepse integriteti i garës nuk mbrohet vetëm duke dënuar atë që reagon. Ai mbrohet duke garantuar drejtësi, profesionalizëm, transparencë dhe përgjegjësi për çdo aktor të futbollit.

Nëse duam vërtet një futboll pa dhunë, duhet të ndërtojmë edhe një futboll ku klubet, lojtarët dhe tifozët kanë besim te drejtësia e garës. Vetëm kështu ndryshon sistemi”.

The post Xhaferi shpërthen pas dënimit: “Nëse duam zero tolerancë, ajo duhet të jetë për të gjithë” appeared first on Telesport.