Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka nisur procedurë kundër një 39-vjeçari nga fshati Çerkez, i dyshuar se nëpërmjet rrjeteve sociale e ka fyer dhe kërcënuar kryeministrin Hristijan Mickoski.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se 39-vjeçari ka kryer veprën penale “Rrezikim i sigurisë”, të parashikuar në nenin 144, paragrafi 5 të Kodit Penal.
“Personi i dyshuar, nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale, e ka fyer dhe kërcënuar kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Prokuroria.
Prokurori publik i ka propozuar gjykatësit të procedurës paraprake që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit.
Gjatë paraqitjes së kërkesës janë vlerësuar rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, rreziku i arratisjes dhe sjellja e mëparshme e të dyshuarit.
Sipas Prokurorisë, personi figuron edhe si autor i dyshuar i veprave të tjera penale nga fusha e krimit të dhunshëm, përfshirë dhunën dhe fajdenë. Ai gjithashtu ka një numër më të madh kundërvajtjesh për prishjen e rendit dhe qetësisë publike.
“Bëhet fjalë për një person konfliktuoz, i cili përfshihet vazhdimisht në përplasje verbale, kërcënime dhe konfrontime fizike me denoncuesit. Vlerësohet se ekziston rrezik real që sjellje të tilla agresive të përshkallëzohen në vepra më të rënda penale, me pasoja që mund të rrezikojnë jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për propozimin e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit duhet të vendosë gjykatësi i procedurës paraprake.
