Aymeric Laporte nuk ka asnjë peng për zgjedhjen e Spanjës. Mbrojtësi 32-vjeçar foli për ndryshimin e kombësisë sportive në vitin 2021, kur la Francën për të veshur fanellën e “La Roja”. Që atëherë, ai është bërë titullar i rëndësishëm i Spanjës, me të cilën ka fituar “Nations League” 2023, Europianin 2024 dhe mbi të gjitha Botërorin 2026.

“Edhe nëse nuk do të kishte ndodhur e gjitha kjo, do të ndihesha po aq krenar. Gruaja ime, familja ime dhe fëmijët e mi janë nga këtu. Ndihem shumë i lidhur me Spanjën”, – tha Laporte në një intervistë për një kanal në YouTube.

Vendimi nuk ishte i menjëhershëm: “Ishte një proces i gjatë. Kishte pasur një përpjekje të parë një vit e gjysmë ose dy më herët, por nuk kishte funksionuar. Më pas nisëm të flisnim dhe ata donin që të bëhesha pjesë e ekipit. E kuptuam se ishte një mundësi unike që nuk duhej humbur”.

I lindur në Agen dhe i formuar mes Francës e Spanjës, Laporte kishte luajtur me kombëtaret e moshave të Francës dhe ishte grumbulluar dy herë nga Didier Deschamps, më 2016 dhe 2017, por nuk luajti asnjë minutë me kombëtaren e madhe transalpine: “E kam dashur gjithmonë vendin tim të origjinës, por kur jeton një situatë si e imja, duhet ta rishikosh mënyrën e të menduarit. Athletic Bilbao më priti shumë mirë dhe aty u rrita më shumë. Trajneri i Francës nuk llogariste aspak tek unë, ndaj vendosa të ndryshoja kombëtare”.

Në vitin 2021, Laporte e kishte shpjeguar kështu situatën: “Nuk mund të prisja më. Vitet kalonin dhe trajneri ishte gjithmonë i njëjti. Nëse doja të luaja në kompeticionet ndërkombëtare, duhej të merrja vendime. Sot jam shumë i lumtur dhe ndihem mirë në kombëtaren spanjolle”.

The post Laporte tregon pse braktisi Francën për Spanjën: Nuk mund ta prisja Deschamps përgjithmonë… appeared first on Telesport.