Dyert në Appiano Gentile u rihapën dje. Klubi zikaltër mirëpriti sërish shumicën e lojtarëve të saj me përjashtim të atyre të angazhuar me ekipet kombëtare. Cristian Chivu u rikthye pas një pushimi njëjavor, kohë për t’u çlodhur dhe për të rimarrë energji para se të përmirësoheshin aspektet e lojës që kërkonin ende punë.
Gjithsesi, qendra stërvitore qëndroi e hapur për të mundësuar programet e rikuperimit për katër lojtarë që po trajtonin dëmtime të lehta. Lajmi më i mirë për Chivu është se infermieria do të jetë pothuajse bosh. Kjo i ofron gjithashtu trajnerit rumun një përforcim “të ri” për serinë e ndeshjeve që do të luhen gjatë muajve tetor dhe nëntor: Djed Spence.
Procesi i rikuperimit fizik të anësorit anglez duket se është në fazat e fundit. Ish-lojtari i Tottenham mori pjesë në seancën e plotë stërvitore me grupin. Debutimi i tij me zikaltërit nuk duhet të jetë larg; madje, ai mund t’i luajë minutat e para që të shtunën, më datë 10 tetor, kundër Parmës.
Ka lajme të mira edhe për krahun tjetër, atë të Federico Dimarco. Lojtari i kombëtares italiane kreu dje një seancë stërvitore të pjesshme. Një pjesë e stërvitjes u zhvillua me grupin, ndërsa pjesa tjetër u krye në mënyrë individuale. Megjithatë, nuk ka asnjë nxitim dhe gjithçka po shkon sipas planit.
Edhe Calhanoglu është në rrugën e duhur për t’u grumbulluar e ndoshta edhe për ta nisur ndeshjen si titullar. Për momentin, lojtari turk po stërvitet i veçuar për t’u rikuperuar plotësisht nga një shqetësim në muskujt aduktorë, dëmtim që mund të zgjidhet brenda njëmbëdhjetë ditëve.
I veçuar nga grupi kryesor po stërvitet edhe John Stones, i vetmi lojtar disponueshmëria e të cilit për ndeshjen ndaj Parmës mbetet në dyshim. Rruga e ish-lojtarit të City drejt rikthimit të plotë duket se po ecën ende me ritme të ngadalta. Synimi është të shmanget nxitimi, veçanërisht duke qenë se nuk mungojnë alternativat në mbrojtje.
The post Pushimi 3-javor sjell lajme të mira për trajnerin Chivu, infermieria e Inter thuajse e boshatisur appeared first on Telesport.
