U prit me tepih të kuq para godinës së Qeverisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, erdhi në masa të rrepta sigurie në mikpritje të kryeministrit Hristijan Misckoski, të cilët zhvilluan takim me dyer të mbyllura.
Pas gjysmë ore takim kokë më kokë, dolën para mediave, ku von der Leyen kërkoi zgjidhje mes Shkupit dhe Sofjes. Tha se reformat e kërkuara janë bërë, por për të vazhduar me aderimin drejt BE-së Maqedonia e Veriut duhet të mbyllë çështjet e hapura me Bullgarinë.
“Në momentin që do ta zhbllokojmë situatën këtu dhe mendimi im personal është që mund të jemi më të shpejtë me Maqedoninë e Veriut sepse tani më intensivisht punojmë në reformat që janë të domosdoshme. Ende ka punë, por është mbresëlënëse atë që keni bërë. Tani të fokusohemi në zhbllokim të situatës për të mundur pastaj të vijmë me udhërrëfyes në Maqedoninë e Veriut”, tha Ursula von der Leyen.
Ajo theksoi se negociatat e anëtarësimit kanë nisur në vitin 2022, ndërsa procesi i skriningut ka përfunduar për më pak se një vit, duke shtuar se tani mbetet hapi kyç i nevojshëm për hapjen e klasterit të parë “Themeloret”. Komisioni Evropian thekson se konferenca ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut u mbajt në korrik të vitit 2022, ndërsa skriningu u përfundua në dhjetor të vitit 2023. Ajo dërgoi mesazh edhe sa i përket identitetit dhe gjuhës maqedonase.
“Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj dhe me gjuhën e saj. Besojmë se kultura maqedonase dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Unionin tonë më të pasur”, deklaroi Ursula von der Leyen
Lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë, Mickoski tha se presin që të jetë e përfshirë edhe BE në këtë proces që të ndihmojë që të gjendet zgjidhje evropiane, që e dakorduara të jetë e qartë, detyrimet të vlejnë për të gjithë, “ndërsa procesi qasës të mos jetë i hapur përsëri për kushtëzim dypalësh”. Ai theksoi se Maqedonia kërkon proces që të jetë fer dhe i bazuar në rregulla të qarta.
“Nga kryetarja mora këshillë dhe javën e ardhshme, Ministri ynë i jashtëm dhe i tregtisë së jashtme do të jetë në Sofje për arsye të Korridorit 8 dhe projektet që i zhvillojmë në kuadër të atij Korridori 8. Të kërkojmë nga mikpritësi takim dypalësh! Unë menjëherë kërkova nga ministri të sjell notë diplomatike dhe të kërkoj kohë për takim me kolegen e saj dhe të fillojmë ta lëvizim disi procesin”, tha Mickoski
Me vizitën në Shkup, Von der Leyen e përfundon turneun e këtij viti nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë ditëve të fundit ajo vizitoi Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Shefja e Komisionit Evropian këtë herë i anashkaloi Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto dy vende. Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut. Një raport i ri pritet nga KE të publikohet me 6 tetor në Bruksel.
