Gazetar: Miki Trajkovski
Punonjësit në institucionet arsimore në Strugë mund të mbeten pa regres vjetor, ose K15, sepse paratë që komuna mori nga Ministria e Arsimit nuk ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e shkollave, thanë për Alsat nga Sektori i Arsimit. Borxhet totale të shkollave fillore dhe të mesme aktualisht janë të mëdha dhe arrijnë në rreth 650 mijë euro.
“Këtë vit, po vihet në pikëpyetje edhe pagesa vjetore për pushime. Më shumë se 98% e bllokdotacioneve që Ministria e Arsimit dhe Shkencës i lëshon komunës, komuna i shpërndan ato në shkolla për të mbuluar pagat dhe shtesat për punonjësit e shkollave, dhe pjesa tjetër shkon për të mbuluar shpenzimet materiale,” – Sektori i Arsimit, Strugë
Sektori i Arsimit në Strugë, thekson se borxhi i shkollave fillore, ishte rreth 500 mijë euro, ndërsa ai i shkollave të mesme ishte rreth 200 mijë euro. Shumica e detyrimeve ishin për naftë, energji elektrike dhe transportin e nxënësve. Komuna kishte detyrime të papaguara nga shkollat deri më 15 shtator prej rreth 153 mijë eurosh. Kreu i Strugës thotë se për borxhet e vjetra janë të detyruar ti paguajnë.
“Këto para zakonisht nuk janë të mjaftueshme për atë që do të na duhet. Por ato ofrojnë udhëzime dhe japin shpresë se 92% që paguajmë tani me këto dotacione, do të jenë më se të mjaftueshme dhe me siguri do të arrijmë 75% deri në 80%. Dhe do të kemi 20% të parave që do t’i investojmë në mirëmbajtjen e shkollave, pra për ngrohje, energji elektrike dhe më shumë.” – Mendi Qyra – Kryetar i Komunës së Strugës
Por nga Ministria e Arsimit thonë se paratë, që ministria i lëshoi bazoheshin në një formulë të caktuar dhe në numrin e nxënësve.
“Ne transferojmë bllok dotacionet, sipas numrit të nxënësve dhe sipas formulës që ekzistonte. Tani kemi një formulë të re, që duhet të mbulojë në mënyrë optimale kostot e komunave. Ministria nuk është përgjegjëse dhe nuk mund të mbahet përgjegjëse, për keqmenaxhimin e një numri të caktuar kryetarësh komunash. Më vjen keq që kryetarët e rinj të komunave po përballen me një problem të tillë, por ministria nuk ka autoritetin ta zgjidhë atë.” – Vesna Janevska- Ministre e Arsimit
Janevska u bën thirrje kryetarëve të komunave të merren vesh me kompanitë e transportit, se si t’i shlyejnë borxhet e tyre, si dhe të paguajnë rregullisht këstet për transportin e nxënësve për këtë vit./Alsat.mk
The post Punonjësit e arsimit në Strugë rrezikojnë të mbeten pa K15 appeared first on Alsat.
