Pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje, kanë rifilluar aktivitetet ndërtimore në fazën përfundimtare të lidhjes së rrugës „Lubjanë“ me rrugën „Skupi“ në Shkup. Punimet synohet të përfundojnë deri në fund të këtij viti, kur ura pritet të vihet në funksion. Projekti do të krijojë një lidhje të re rrugore ndërmjet pjesës veriore dhe perëndimore të qytetit, duke përmirësuar qasjen drejt Zllokuqanit, Bardovcës dhe Zonës Industriale, si dhe lidhjen me unazën e Shkupit. Me përfundimin e projektit pritet të lehtësohet edhe ngarkesa e komunikacionit në bulevardet „Aradhet Partizane” dhe „Ilinden“. Sipas kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, pengesa për vazhdimin e punimeve, e lidhur me lejen dhe mendimin e Qendrës së Konservimit për mbrojtjen e lokalitetit „Skupi“, tashmë është tejkaluar.
“Në periudhën e fundit, këtu është punuar në sigurimin e trasesë që lidh pjesën e Lubjanskës me Shkupin. Janë ndërtuar mure me një sipërfaqe totale prej rreth 1 kilometër e 200 metra, me lartësi të ndryshme, në varësi të terrenit dhe nevojave të tij. Lartësia e mureve fillon nga rreth 1.5 metra dhe arrin deri në 5.5 metra. Kjo tregon se bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm dhe një proces kompleks, për të cilin operatori është përgjigjur në mënyrë serioze dhe profesionale”, tha Orce Gjorgjievski – kryetar i Qytetit të Shkupit.
