Gazetar: Zekirija Haxhiu
I kënaqur nga takimi por jo edhe nga mesazhet. Një ditë pas vizitës së Ursula Fon der Lajen në Shkup, kryeministri Hristijan Mickoski filloi t’i hapë kartat duke treguar se nuk i pëlqyen mesazhet e kryetares së Komisionit Evropian, se ndryshimet kushtetuese si kusht edhe më tej qëndrojnë në tryezë. Mickoski takimin e cilëson si përmbajtësor dhe miqësor por për ndryshimet kushtetuese shprehet se është çështje që e ka pranuar Qeveria e kaluar e cila nuk ka pasur ide të tjera.
“Takimin do e cilësoja si jashtëzakonisht miqësor, të dobishëm dhe përmbajtësor dhe vlerësoj se ndoshta do të jetë kyçe për disa procese në të ardhmen. Ato procese pres të fillojnë qysh javën e ardhshme pasi MPJ dorëzoi kërkesë deri te kolegët e fqinjit tonë lindor për takim bilateral. Nga ana tjetër nuk mund të them se jam i kënaqur nga mesazhet që i dërgoi kryetarja. Ajo qartë tha se qëndron në tavolinë ndryshimi i Kushtetutës, gjë që është pranuar nga Qeveria e kaluar”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Nga Ministria e Jashtme konfirmuan se i kanë dërguar Sofjes Zyrtare kërkesë për takim bilateral për tejkalimin e kontestit në margjinat e mbledhjes për Korridorin 8. Megjithatë, nga Sofja deri tani ende nuk ka konfirmim.
“Nëse refuzojnë atëherë do të konfirmohen tezat që ne i kemi e për çfarë jemi të brengosur. Nuk pres dhe nuk do të ishte gjë e mençur të refuzojnë por në rregull ky është vendim i tyre nuk është vendim i yni. Unë mora këshillë konstruktive nga ana e kryetares të lus ministrin e jashtëm të kërkojë takim në margjinat e mbledhjes për Korridorin 8, këtë e bëra sepse vlerësoj se kryetarja ishte në të drejtë kur e propozoi. Ministri e kërkoi tani mbetet në vullnetin e fqinjit tonë lindor të vendos se çfarë më tej”, shtoi Mickoski.
Mickoski paralajmëroi se gjatë muajit nëntor, do të ketë dy vizita në Bruksel ku do të takohet me euro komisaren Marta Kos dhe do të marrë pjesë në samitin rajonal me BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës së djeshme në Shkup, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshëndeti progresin e vendit në planin për rritje duke theksuar se BE-ja është e gatshme të presë Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj, megjithatë ishte e prerë se ndryshimet kushtetuese janë kusht për zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit./Alsat.mk
The post Mickoskit nuk i pëlqeu mesazhi i Von der Leyen për ndryshimet kushtetuese appeared first on Alsat.
