Në “Milanello”, historia përsëritet: merkato e gabuar, drejtorë sportivë që vijnë e ikin, trajnerë pa ndikim dhe një skuadër e paplotë. Vitet e fundit dëshmojnë gabime të përsëritura, rezultate zhgënjyese dhe investime që nuk kanë sjellë përfitimet e pritshme.
Gonçalo Ramos, blerja më e shtrenjtë në historinë e Milanit, duhej të ndryshonte skuadrën, por pas 6 javësh është kthyer në një nga të kritikuarit kryesorë. Pas barazimit me Sassuolon, presidenti Gerry Cardinale u largua i zhgënjyer, në mos i zemëruar, duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm të kursit.
Skuadrës i mungojnë një sulmues alternativ, një qendërmbrojtës dhe një mbrojtës i majtë më cilësor se Estupiñán. Dëmtimet e Saelemaekers dhe Gabbia e kanë rënduar situatën. Ndërkohë, Tomori duhet të rikthehet plotësisht në dispozicion.
Amorim duhet t’i japë identitet një skuadre që nuk po bind. Presingu i lartë dhe loja vertikale e premtuar nuk po shfaqen; qarkullimi i topit është i ngadaltë dhe sulmuesit mbeten të izoluar.
Kalendari është i ngjeshur: në Ligën e Europës, Salzburg, Bournemouth dhe Ferencvaros; në kampionat, Atalanta, Udinese, Bologna, Interi dhe Genoa. Projekti “Make Milan Great Again” duket më shumë slogan sesa strategji. Nëse zemërohet edhe Cardinale, pasojat mund të jenë të rënda për të gjithë.
The post Cardinale e ka humbur durimin. Nga Ramos te merkatoja, të gjitha problemet e Milanit të ri appeared first on Telesport.
