Një pagë e dytë përtej asaj zyrtare, shpërblime të padeklaruara dhe një vilë luksoze buzë detit në Miami. Hetimi i “The Times” ngre pikëpyetje për transparencën financiare të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Sipas gazetës britanike, në vitin 2024 Infantino ka marrë mbi 1.6 milionë euro shtesë nga kompania amerikane e ngarkuar me organizimin e Botërorit 2026, përveç 4.57 milionë eurove të deklaruara nga FIFA në raportin vjetor.

Sipas burimeve të gazetës, pagesa të ngjashme, ndoshta edhe më të larta, janë bërë edhe në vitet 2025 dhe 2026. Neni 43 i statutit të FIFA-s parashikon publikimin e shpërblimeve individuale të presidentit, anëtarëve të këshillit dhe sekretarit të përgjithshëm.

Miguel Maduro, ish-kryetar i komitetit të qeverisjes së FIFA-s, e cilësoi këtë një “shkelje të qartë” të rregullave dhe kërkoi hetim të pavarur. “Presidenti duhet të paguhet shumë mirë, por kjo duhet të jetë transparente”, – deklaroi ai për “The Times”.

Një pjesë e përfitimeve mund të lidhet me banimin e Infantinos në Miami, ku ai kishte në dispozicion një vilë në zonën ekskluzive “Sunset Islands”. Sipas një përfaqësuesi të pronarit, Infantino ka paguar qira sipas çmimeve të tregut për tre vjet dhe nuk banon më aty.

FIFA pretendon se shpërblimet u raportohen autoriteteve amerikane, por nuk shpjegon pse shumat shtesë mungojnë në raportin vjetor. Infantino synon të rikandidojë; afati i kandidaturave përfundon më 18 nëntor.

 

The post Pagë e dytë, veç asaj zyrtare, dhe vila luksoze në Miami. Hetimet nxjerrin skandale të reja të Infantinos appeared first on Telesport.