Alessio Tacchinardi del në mbrojtje të trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti, i cili nuk e ka pritur mirë barazimin 1-1 ndaj Cagliarit në kampionat, pas një paraqitjeje nën nivelin e duhur nga disa lojtarë bardhezinj.

“A ka ndonjë faj Spalletti? Për mendimin tim, jo. Ai po përpiqet të bëjë maksimumin. Megjithatë, duhet vlerësuar çështja e Kolo Muanit dhe gjetur një zgjidhje. Luciano e ka bërë gjithmonë këtë; ka ditur të dalë nga situata të veçanta dhe të sjellë risi të veçanta”, – kujtoi ish-mesfushori i Juventusit dhe i kombëtares italiane.

“Edhe nga ana psikologjike, më duket se po bën më shumë se maksimumi. E patë si reagoi ndaj Minës? – pyet Tacchinardi, duke iu referuar barazimit të vonë kundër Cagliarit. – Mina provokon dhe askush nuk reagon. Spalletti do lojtarë me personalitet; do t’i mjaftonin edhe dy të tillë. Për momentin mungojnë zgjidhjet taktike, por nuk shihen as ato psikologjike. Përshtypja është se, për fat të keq, janë të paktë ata që kanë atë mentalitet.

Problemi është se, kur mendojmë se si luante Juventusi im apo Juventusi që fitoi 9 tituj kampionë radhazi, rrezikojmë të humbasim kontaktin me realitetin. Të gjithë jemi mësuar me atë nivel, por me kalimin e viteve është humbur një pjesë e shpirtit të skuadrës. Sigurisht, ka ende nga ata që e ruajnë atë frymë, por luajnë pak.

Lojtari që mund t’i rikthejë Juventusit shpirtin e dikurshëm, por që nuk po luan, është Federico Gatti. Për mua, ai mishëron karakterin e Juventusit. Është i ashpër, në kuptimin e mirë të fjalës. Është luftarak dhe i karikon njerëzit, madje edhe shokët e skuadrës. Nuk e di pse nuk po luan, por më duket një nga ata lojtarë që mund ta tërheqin ekipin përpara. Nëse janë pak të tillë, të paktën le t’i aktivizojnë ata që e kanë këtë karakter”.

The post “Gatti ka karakterin e Juventusit. Nëse janë pak, të paktën të zbresin në fushë” appeared first on Telesport.