Francesco Totti, i pranishëm si ambasador i Serie A në prezantimin e albumit të ri “Calciatori Panini”, ka folur për Romën, Interin, Champions League, trajnerët dhe kombëtaren italiane. Legjenda verdhekuqe vlerëson punën e Gian Piero Gasperinit, e sheh Romën si pretendente për titullin dhe nuk e përjashton mundësinë që Interi të triumfojë në Europë.
Cili është lojtari më i spikatur i Romës në këtë moment?
E gjithë skuadra po bën mirë, por nëse duhet të përmend një emër, them trajnerin Gasperini. Ai po krijon një grup të madh, kompakt dhe të bashkuar, që ka dëshirë të tregojë vlerat e veta dhe të fitojë.
A mundet kjo Romë ta fitojë titullin kampion, apo i mungon ende diçka?
Është një Romë që mund të konkurrojë për titullin. E dimë që Interi ka një marsh më shumë, por Roma mund t’ua vështirësojë jetën zikaltërve.
A të habiti fakti që Interi, në mënyrë paradoksale, pati më pak forcë në Europë?
Jo, mund të humbasësh një ndeshje, si në Europë, ashtu edhe në kampionat. Problemi është se në Itali, kur humbet një ndeshje, gjithçka zmadhohet… Interi është një skuadër e madhe dhe konkurruese. Do të shkojë deri në fund si në Serie A, ashtu edhe në Champions League.
E prisje një Lazio kaq të fortë në kampionat?
Sinqerisht, jo. Por këtë nuk e priste askush, madje as Gattuso, siç kam thënë gjithmonë. Gjithsesi, është një skuadër e fortë dhe kryeson renditjen. Prandaj, vetëm duartrokitje.
Si e sheh Chivu si trajner?
Është i madh, ka treguar se është në lartësinë e një skuadre të madhe. Kam pasur fatin ta njoh si futbollist dhe kam ndarë me të shumë momente të bukura. Mendoj se do të bëjë gjëra të mëdha me Interin.
A ka ndonjë futbollist në Serie A që të kujton veten?
Nuk më kujtohet ndonjë… Po juve, ju kujtohet?
A do të të kishte pëlqyer të luaje me Malen?
Pse jo? Është një futbollist i jashtëzakonshëm, që bën diferencën. Që nga momenti kur mbërriti, ka shfaqur nivelin më të lartë. Po flasim për një lojtar të klasit botëror dhe shpresoj të vazhdojë në këtë rrugë.
A ka ardhur koha për rikthimin tënd te Roma?
Jo. Të kthehem në Romë, po, por te Roma, jo.
Çfarë përshtypjeje të la kombëtarja italiane?
Përshtypje të mira, edhe sepse më keq se më parë nuk mund të bëhej. T’i japim kohë Mancinit. Ai po krijon një skuadër konkurruese dhe kur nis nga zeroja, gjithçka është më e vështirë. Por është një trajner i madh dhe duhet të tërheqim të gjithë në të njëjtin drejtim.
Kush do ta fitojë ‘Topin e Artë’?
Pyetje e bukur. Kujt do t’ia jepja? Harry Kane-s.
A mund ta fitojë një skuadër italiane Champions League?
Interi mundet… Nëse i ecën mbarë, mund ta fitojë.
The post “Interi mund ta fitojë Champions-in”… Totti i thotë sërish “jo” rikthimit te Roma appeared first on Telesport.
